Sociale

Pandemia rëndoi psikologjikisht fëmijët në nevojë

Përditësimi i fundit: 23/05/2020 - 20:30
Text size Aa Aa

Pandemia e COVID-19 në Shqipëri ka shkaktuar shqetësime serioze psikologjike te fëmijët dhe të rinjtë në nevojë dhe për këtë autoritetet duhet të marrin masa urgjente.

Një vlerësim i bërë së fundmi nga organizata zvicerane Terre des hommes ka nxjerrë në pah se mbi 89 për qind e fëmijëve dhe të rinjve në nevojë kanë ndjerë shqetësime të theksuara për vështirësinë ekonomike, edukimin, frikën nga zgjatja e masave kufizuese dhe rrezikun nga infektimi prej COVID-19.

Vlerësimi u bë gjatë dy muajve të fundit ku vendi ishte në shtetrrethim prej pandemisë.

Organizata thotë se mori në shqyrtim 779 persona – 418 fëmijë dhe 361 të rinj mbi 25-vjeç – nga 8 qytete të ndryshme të Shqipërisë si Tirana, Durrësi, Elbasani, Fieri, Korça, Shkodra, Kukësi dhe Lezha.

Pjesa dërrmuese – 80 për qind – besonin se masat e marra nga autoritetet gjatë kësaj periudhe kanë qenë të duhurat,

Terre des hommes vë në dukje se gjatë kësaj periudhe 16 për qind e fëmijëve të marrë në pyetje nuk kishin asnjë mundësi për të ndjekur mësimet online, ndërsa 4 nga 5 të rinjtë e pyetur ishin të papunë.

Bazuar në këtë vlerësim, organizata rekomandon që autoritetet të hartojnë strategji për rimëkëmbjen ekonomike të grupeve në nevojë, të zgjerohet fondi social, të ngrihen kapacitetet e punonjësve për mbrojtjen e fëmijëve, të hartohet strategji për vlerësimin dhe trajtimin e shëndetit mendor të personave më vulnerabël, të ofrohen programe pas-shkollore dhe shkolla verore për fëmijët, t’u sigurohet aksesi në internet të sigurt.

Terre des hommes është organizatë zvicerane, e cila prej vitit 1993 angazhohet në Shqipëri për të ndihmuar dhe mbrojtur fëmijët në nevojë nga të gjitha format e abuzimit dhe shfrytëzimit.

Tregime të lidhura