Sport

Luiza Gega: Viti 2019 ishte më i suksesshmi për karrierën time sportive

Përditësimi i fundit: 27/12/2019 - 12:16
Text size Aa Aa

Atletja shqiptare Luiza Gega ishte fokusi i ditës së premte në rubrikën “Shqiptarët e Suksesit”.

Në një lidhje live, Gega ndau me shikuesit vështirësitë, por nga ana tjetër edhe sukseset që ka arritur falë punës së palodhur të saj.

Ajo e cilëson vitin 2019 si më të suksesshmin deri më tani dhe shprehet e lumtur që ia doli. “Gjithë lodhja dhe sakrifica që unë bëj për të qenë këtu u shpërblye në një formë”, - tha atletja.

Gega momentalisht ndodhet në Kenia prej 3 javësh, në fazën përgatitore për Lojërat Olimpike. 

“Do të qëndroj edhe një muaj. Sigurisht është sakrificë sepse këtë fundvit do të jem larg familjes, por Olimpiada është shumë e rëndësishme dhe jam e fokusuar në të”, rrëfeu Gega.

Atletja shtoi se objektivi i saj është futja në top 10-shen e më të mirëve të Lojërave Olimpike Tokio 2020, për të cilën u shpreh optimiste.

Për Gegën, pasioni është ai që mund çdo vështirësi dhe që i jep forcë të vazhdojë para.

“Sigurisht ka momente që do të heqësh dorë, por pasioni mund çdo gjë dhe mundohesh ta gjesh me të vërtëtë rrugën që do”, tha Gega.

Ndër vështirësitë e hasura, atletja përmend mosbarazinë me kundërshtarët e tjerë në lidhje me kushtet me të cilat stërvitet, por përsëri shprehet e lumtur për ndihmën dhe përkrahjen e pareshtur të trajnërit të saj.

Për vitin 2020, në Kampionatin Evropian që do të zhvillohet në Paris, Gega synon medaljen duke u shprehur se do të bëjë të pamundurën që ta arrijë.

Gega ka arritur të rrëmbejë vendin e tretë në garën 3000m me pengesa, duke marrë medalje bronzi, në Lojërat Olimpike Ushtarake Botërore në Kinë.

Kush është Luiza Gega?

Luiza Gega është atletja më e mirë shqiptare, mbajtëse e disa rekordeve dhe fituese e shumë medaljeve ndërkombëtare.

Atletja shqiptare Luiza Gega ka arritur që të dalë e treta në garën 3000m me pengesa, duke marrë medalje bronzi, në Lojërat Olimpike Ushtarake Botërore në Kinës.

Luiza Gega ka fituar një sërë medaljesh ndërkombëtare mes të cilave edhe atë të Artën në Lojërat Mesdhetare ‘Tarragona 2018’.

Atletja ka arritur të sfidojë kushtet e vështira, mbështetjen e munguar dhe të triumfojë në kompeticionet ndërkombëtare.

Si një shpërblim për punën e palodhur ndër vite, atletja është dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh” nga presidenti i vendit, Ilir Meta.

Tregime të lidhura