Sport

Juventus - Inter, coronavirusi shtyn ndeshjen

Përditësimi i fundit: 29/02/2020 - 18:36
Text size Aa Aa

Ndeshja midis skuadrës së Juventusit dhe Interit do të shtyhet në kuadër të frikës së përhapjes së coronavirusit, ndërsa federata ka vendosur që pesë ndeshjet e kësaj jave të shtyhen për në datën 16 maj.

Frika nga COVID-19 ka detyruar federatën italiane të futbollit që të marrë vendimin për të shtyrë pesë takime të Serie A.

Superfida mes bardhezinjve dhe bardhebluve, e cila do të luhej ditën e nesërme, do të zhvillohet më 16 maj, pasi nuk është parë e arsyeshme që kjo sfidë të luhet me dyer të mbyllura, siç ishte vendosur fillimisht.

Dueli për titullin fitues do të luhet vetëm pak ditë para fundit të kampionatit, çka mund të vendosë dhe për fatin e skuadrës që mund të rrëmbejë titullin këtë vit.

Inter duhet të bëjë llogaritë me një fund kampionati mjaft të vështirë, pasi në pak ditë do të takohet me Napolin, Juventusin dhe në fund me Atalantën.

Po ashtu për shkak të virusit të rrezikshëm janë shtyrë dhe takimet Milan-Genova, Lecce-Atalanta, Parma-SPAL dhe Sassuolo-Brescia, të cilat do të luhen po ashtu në datën 16 maj.

Ajo çka mbetet për tu parë është se çdo të ndodhë në javët e ardhshme të kampionatit, pasi situata me virusin nuk është vënë ende nën kontroll.

 

Lexo më shumë:

Frika nga COVID-19, 35 vende të botës anulojnë aktivitetet sportive