Sport

Kriza e pretendentëve, Partizani dhe Kukësi në vështirësi, Tirana nis shkëputjen

Përditësimi i fundit: 05/03/2020 - 14:39
Text size Aa Aa

Kukësi dhe Partizani nuk po arrijnë që të mbajnë ritmin e Tiranës, kur janë luajtur 25 javë te kampionatit. Demat e kryeqytetit nuk po e justifikojnë aspak statusin e tyre. Skuadra e Adolfo Sormanit ndodhet 12 pikë larg vendit të parë dhe humbja me Teutën i dha një goditje të rëndë të kuqve, që tashmë e kanë një mision shumë të vështirë mbrojtjen e fronit të kampionit.

Disfata në derbi ishte mjaft e rëndë, por me vetëm 1 pikë në 3 ndeshje, objektivi I Partizanit mund të ndryshojë dhe duhet të mjaftohen me një vend në Kupat e Europës. Në anën tjetër Kukësit nuk i bëri punë as ndryshimi I trajnerit, pasi Orges Shehi debutoi me barazim ndaj Vllaznisë, duke i krijuar mundësinë Tiranës që të arratiset me 6 pikë në krye të klasifikimit.

 Fituesit e Kupës duhet t’i bëjnë llogaritë mirë, pasi një tjetër hap i gabuar, mund të bëjë që diferenca me vendin e parë të bëhet e parikuperueshme. Verilindorët mund të kenë Kupën si ngushëllim, ndryshe nga Partizani që të vetmen mënyrë për një vend në Kupat e Europës ka kampionatin.

Tirana në anën tjetër ka krijuar një distancë prej 6 pikësh, një diferencë që këtë edicion nuk ishte regjistruar asnjëherë. Dhjetë fitore në 11 ndeshje kanë bërë që Tirana të kthehet në pretendentet kryesore për titull.

Tregime të lidhura