Sport

Skënderbeu sfidon Kukësin

Përditësimi i fundit: 08/03/2020 - 18:24
Text size Aa Aa

Skënderbeu dhe Kukësi do të ndeshen në një përballje mjaft interesante të hënën në orën 18:00. Në kampin korçar besojnë se skuadra e tyre e ka kapacitetin për të marrë një rezultat pozitiv ndaj fituesve të Kupës, që këtë edicion kanë ambicie të mëdha.

Ka hyrë kampionati në një fazë ku të gjitha ndeshjet janë të vështira, që nga e para dhe deri tek e fundit, aq më tepër që luajmë kundër Kukësit që gjatë 80% të kampionatit ka qenë në krye të klasifikimit.

“Vijmë nga ndeshje shumë të mira dhe kemi marrë dhe rezultate, por mendoj se kemi akoma për të dhënë dhe besoj se s'është  ky maksimumi i Skënderbeut", thotë ndihmës-trajneri i Skënderbeut, Gentian Lici.

Në anën tjetër dhe Bajram Jashanica, i cili është rikthyer pas dy vitesh në fushat e blera, për shkak se ka përfunduar dënimi i marrë nga UEFA për përdorimin e substancave të ndaluara e paralajmëron Kukësin se nuk do ta ketë aspak të lehtë.

“Është ndeshje e vështirë me Kukësin, pavarësisht se kemi luajtur me ekipet e kreut mjaft mirë. E kemi marrë si ndeshjen e radhës dhe shpresojmë që të dallim me tre pikë dhe në këtë sfidë. Kukësi është një ekip i fortë dhe ka pretendimet e veta, por në Korçë duhet të tregojmë se çdo kundërshtar duhet ta mendojë se e ka shumë të vështirë".

Në kampin kuksian, situata nuk është e mirë për shkak se ekipi ka pasur mungesë rezultatesh në javët e fundit, duke i krijuar mundësinë Tiranës që të shkëputet me 6 pikë.

Tregime të lidhura