Sport

COVID-19 'prek' edhe sportin, përballjet e Superligës do luhen me dyer të mbyllura

Përditësimi i fundit: 09/03/2020 - 14:32
Text size Aa Aa

Dy raste e konfirmuara me coronavirus në Shqipëri nuk kanë kursyer as aktivitetin sportiv. Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar në faqen e saj zyrtare se bazuar në urdhrin e caktuar nga ministria e Shëndetësisë, ky organ ka vendosur që dy ndeshjet e sotme, Vllaznia-Partizani dhe Skënderbeu-Kukësi të luhen me dyer të mbyllura dhe pa tifozë.

Pas kësaj, Komiteti i Emergjencës në FSHF i ka kërkuar një takim Këshillit të Ministrave për të vendosur faktin se si do të operohet në lidhje me aktivitetin sportiv në Shqipëri.

Njoftimi i FSHF-së

Komiteti i Emergjencës në Federatën Shqiptare të Futbollit është mbledhur ditën e sotme për të vlerësuar situatën pas urdhërit nr. 132, dt. 8/3/2020 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale lidhur me pezullimin e aktiviteteve sportive dhe sociale në vend.

Komiteti i Emergjencës vlerësoi se duke qenë se katër ekipet janë grumbulluar tashmë respektivisht në Shkodër (Vllaznia-Partizani) dhe Korçë (Skënderbeu – Kukësi), të vijojë me zhvillimin e këtyre dy ndeshjeve të javës së 26-të të Kategorisë Superiore, me dyer të mbyllura.

Komiteti i Emergjencës në FSHF, i kërkon Këshillit të Ministrave një takim për të diskutuar në detaje lidhur me vijimësinë e aktiviteteve futbollistike në vend.

Tregime të lidhura