Sport

Mikel Arteta rezulton pozitiv ndaj COVID-19, Arsenali në vetëkarantinim

Përditësimi i fundit: 13/03/2020 - 00:20
Text size Aa Aa

Klubi i Arsenalit lajmëroi se trajneri Mikel Arteta ka rezultuar pozitiv ndaj coronavirusit.

Në një deklaratë në faqen e internetit, klubi i Premier Ligës tha se qendra e stërvitjes London Colney është mbyllur pasi trajneri mori rezultat pozitiv ndaj COVID-19 të enjten në mbrëmje.

E gjithë skuadra tani pritet të vetëizolohet, siç udhëzon qeveria.

Mikel Arteta tha: “Kjo është shumë zhgënjyese, por bëra testin pasi u ndjeva keq. Do të kthehem në punë sapo të lejohem”.

[instagram_feed=B9p4FoZIcon]

Deklarata e klubit tha se “Është e qartë që nuk mund të luajmë disa nga ndeshjet e parashikuara. Do të përditësojmë mbështetësit tanë që kanë blerë bileta për ndeshjet e ardhshme me më tepër informacion sapo të jetë e mundur.

Tani po punojmë për të gjurmuar çdo person tjetër që ka pasur kontakt të afërt me Mikelin. Do t’u tregojmë atyre se çfarë ka ndodhur dhe ata duhet të ndjekin gjithashtu këshillat mjekësore që me gjasa do të çojnë në vetëkarantinim”.

Premier Liga ka lajmëruar se do të mbajë nesër një mbledhje urgjente lidhur me lajmin e ardhur nga Arsenali.

Tregime të lidhura