Sport

Skuadra e futbollit të Wuhanit largohet nga Spanja për t’i shpëtuar coronavirusit

Përditësimi i fundit: 14/03/2020 - 18:23
Text size Aa Aa

Skuadra kineze e futbollit Wuhan Zall, e cila kishte “ngecur” në Spanjë që prej shpërthimit të coronavirus, do të kthehet në shtëpi për t’iu shmangur përhapjes së shpejtë të virusit në Europë.

Ekipi i Wuhan Zall pritej që të kthehej në Kinë të shtunën, afërsisht 1 muaj e gjysmë pasi kishte mbërritur në Spanjë për një stërvitje përpara sezonit.

Ekipi nuk ka mundur të lëvizë për shkak të kufizimeve në Kinë, por tashmë vendosën të afrojnë datën e kthimit për shkak të përkeqësimit të gjendjes në Spanjë.

“Gjërat tashmë janë në rregull në Kinë” tha José González, trajneri spanjoll i ekipit.

“Me shumë mundësi, liga kineze do të nisë në fillim të majit. Do të hyjmë në karantinë kur të mbërrijmë, kështu që sa më shpejt kthehemi, aq më mirë”.

Spanja pritet të ndjekë shembullin e Italisë në shpalljen e gjendjes së karantinës në mbarë vendin, teksa edhe vende të tjera në Europë kanë marrë masa shtrënguese për të ulur kontaktin mes njerëzve dhe për të ngadalësuar përhapjen e coronavirusit. Autoritetet shëndetësore në Spanjë njoftuan se ka më shumë se 5,700 të infektuar por numri i rasteve mund të shkojë në 10 mijë në ditët e ardhshme.

Asnjë prej lojtarëve nuk kishte paraqitur simptoma kur mbërritën në Spanjë, por gjyshja e një prej lojtarëve të ekipit ishte në mesin e viktimave në Kinë.

Tregime të lidhura