Sport

Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj: Shteti duhet të japë diçka për futbollin, kryeministri ka qenë vetë sportist

Përditësimi i fundit: 02/04/2020 - 13:18
Text size Aa Aa

Presidenti i ekipit të Bylisit, Besnik Kapllanaj me anë të një lidhje telefonike për emisionin “Euronews Now”, ka folur për vendimin e qeverisë shqiptare lidhur me refuzimin për të ndihmuar sektorin e sportit.

Ai u shpreh se edhe futbollistët, sikurse punëtorët e institucioneve të tjera meritojnë mbështetje nga shteti.

“Situata është alarmante në futboll. Edhe ata paguajnë detyrime mujore, prandaj qeveria duhet ta ndihmoj këtë sektor sikurse ka ndihmuar sektorët e tjerë”, u shpreh Kapllanj.

Ndër të tjera ai ka shtuar se futbolli ka kaluar në plan të dytë dhe ana financiare po bëhet shumë e vështirë dhe alarmante, pasi të gjitha aktivitetet e klubit janë totalisht të bllokuara.

“Nuk shesim bileta. Sa i përket të drejtave televizive, sërish nuk kemi. Për momentin nuk kemi asnjë lloj sponsori, të gjitha rrugët janë të bllokuara”, tha Presidenti i ekipit të Bylisit.

Ai ka shtuar se shumë futbollistë me pagat që marrin nga klubi mbajë familjet e tyre dhe nëse vazhdon kështu, klubi do e ketë të vështirë të mbajë të njëjtin ritëm financiar.

“Shumicën e ekipit i kam të grumbulluar në hotel, 8 janë të huaj. Kam trajnerin me gjithë familjen e tij. Gjithashtu edhe disa futbolliste janë këtu me familjet e tyre”, shtoi z. Kapllani.

Ai i bën thirrje qeverisë të hedhë sytë edhe nga sporti, pasi po kalojnë një situatë të vështirë pas mbylljes së aktiviteteve për shkak të pandemisë COVID-19.

“Shteti duhet të japë diçka. Kryeministri ka qenë vetë sportist duhet ta dijë mirë këtë gjë”, tha Besnik Kapllanaj.

Tregime të lidhura