Sport

Si stërviten sportistët në karantinë? Emiljano Musta tregon jetën “e re”

Përditësimi i fundit: 29/04/2020 - 18:57
Text size Aa Aa

Bota e sportit po e përjeton jo vetëm në aspektin ekonomik, por dhe në mënyrën e jetesës. Të mësuar me një jetë aktive, futbollistët dhe jo vetëm janë të detyruar që të përshtaten me situatën e krijuar. Gazetari i Euronews Albania, Jurgen Zela sjell reportazhin e jetës së një sportisti në karantinë, ku për një ditë ka qenë së bashku me lojtarin e Kukësit, Emiljano Musta.

Nga rregullat e futbollit dhe ndëshkimet me kartonë, tek një stil tjetër jetese, me shumë kufizime e sfida të pazakonta. Emiljano Musta, futbollisti i Kukësit, tregon për Euronews Albania se si është jeta e një sportisti, e kufizuar në shumë drejtime, për shkak të pandemisë SarsCov-2. Nga leksionet për gatimin, tek kilometrat e mundimshme, por të nevojshme për punën e tij e deri tek impenjimet familjare e pasionet e kohës së karantinës. Futbollisti i verilindorëve tregon këto kohë të pazakonta, nën shoqërinë e bashkëshortes së tij.

“Kemi mësuar të gatuajmë, por konfirmimin e jep shefja e kuzhinës (referohet gruas)”, tregon ai. Sa i përket trajtimit ushqimor, vetë ai e di se duhet kujdes, pasi kanë marrë dhe udhëzime nga klubi.

Libra dhe analiza ndeshjesh e më shumë kohë për familjen. Kjo periudhë ka pasur dhe anët e saj pozitive, ku me batutë mund të konsiderohet si një provim mes çifteve. Stërvitja në kushtet e shtëpisë është element shumë i rëndësishëm. Me program persona, por dhe me ndihmën e klubit përmes videove, përgatitjet nuk mungojnë nga ballkoni i shtëpisë.

Bashkëshortja e Emiljanos i gëzohet faktit që ka pasur mundësinë të harxhojë më shumë kohë me të, por në anën tjetër e pranon se do ishte në të mirë të tij që kampionati të rifillojë. Me orare të kufizuara, i detyruar për të ruajtur rendimentin e tij, vrapi në zonat më pak të populluara është zgjedhja e vetme. Vetë Musta e pranon se nuk ka qenë aspak e lehtë të përgatitesh i kushtëzuar.

“Përgatitja ka qenë e pazakontë, por duhet të përshtatemi me situatën si të gjithë në botë me ambientet që kemi dhe kushtet që na ofrohen’, shprehet lojtari.

Në lojën e futbollit, topi është elementi më i vështirë dhe qëndrimi larg për një futbollit është shumë e vështirë.

“Larg topit, kjo është thelbi i çdo gjëje për një futbollist. Na mungon shumë. Është shumë e vështirë”, tregon Musta.

Kjo periudhë i ka bërë më të fortë sportistët, pasi për ta është vetë jeta.

“Kjo periudhë e vështirë na ka bërë më të fortë si njerëz dhe si sportistë. Shumica mendojnë se është një argëtim, sepse ne i dedikojmë jetën. Kemi mësuar dhe në kushte të vështira adaptohemi dhe jemi më të fortë”, thotë ai.

Sa i mungon Mustës futbolli?

“Ne jemi bërë si ato makinat që qëndrojnë në garazh dhe presin që të futen në pistë. Pa futboll nuk ka jetë do të thosha.”, shtoi ai.

Pas stërvitjes, koha për të përmbushur detyrimet familjare, me kujdes, por dhe me udhëzimet e bashkëshortes. Me dëshirën dhe shpresën se jeta sportive do të ringjallet sa më parë e çdo gjë do i kthehet normalitetit.

Tregime të lidhura