Sport

Nuk u përfshinë në paketat ekonomike të qeverisë, Sindikata ndihmon futbollistët në nevojë

Përditësimi i fundit: 01/05/2020 - 10:17
Text size Aa Aa

Rifillimi i kampionateve të futbollit në Shqipëri mbetet ende në pikëpyetje, ndërsa futbollistët po kalojnë një nga periudhat më të pazakonta të sportit, rreth 2 muaj ndalesë.

Andi Lila, Kryetar i Sindikatës së Futbollistëve Profesionistë të Shqipërisë (SFPSH), njëherazi edhe futbollist i Tiranës foli për Euroneës Albania rreth situatës që po kalon futbolli.

Prej 9 marsit Federata Shqiptare e Futbollit ka ndërprerë aktivitetet duke respektuar masat e vendosura nga qeveria për të ndaluar epideminë e COVID-19.

Lila u shpreh se situata ka vënë seriozisht në rrezik shëndetin dhe gjendjen ekonomike të futbollistëve, sidomos të atyre në kategoritë e ulëta, pasi futbollistët nuk u përfshinë në paketën ekonomike të qeverisë.

Për këtë, SFPSH ka grumbulluar fonde nga donacione të ndryshme futbollistësh dhe ish-futbollistësh dhe u ka ardhur atyre në ndihmë.

“Nuk kemi nxjerrë asnjë emër futbollisti që kemi ndihmuar për arsye dinjiteti”, - tha Lila.

Futbolli në gjithë Evropën është ndalur. Në Francë kampionati është ndërprerë përfundimisht, njësoj si në Holandë apo Belgjikë.

Aktualisht Federata Shqiptare e Futbollit i ka kërkuar qeverisë dhe ekspertëve të shëndetësisë leje për të rinisur.

UEFA ka dhënë hapësirë që deri më 27 maj të ketë një vendim rreth kësaj çështjeje. Megjithatë, ende nuk ka një datë se kur futbolli mund të rinisë në Shqipëri.

Ndërkohë, njësoj nuk ka një datë edhe se kur mund të rinisin stërvitjet.

“Nëse do ketë garanci nga ana shëndetësore jemi të gatshëm të rifillojmë, sepse të gjithë po e presim padurim”, - u shpreh Lila, i cili e konsideroi një nga periudhat më të pazakonshme të futbollit ndalimin për 2 muaj.

Lila tha se do të duhen së paku 2-3 javë që futbollistët të rifitojnë kapacitetet fizike dhe të rikthehen, në të kundërtën nëse nuk do të ketë kohë as për minifazë përgatitore atëherë futbollistët do të vihen përballë rrezikut të dëmtimeve.

Futbollisti i Tiranës theksoi se do të donte që kampionati të vendoset në fushë, por që nëse nuk do të ketë garanci shëndetësore do ta mirëpresë vendimin që do të merret nga FSHF-ja.

Superliga shqiptare u ndërpre në javën e 27-të, me Tiranën në krye me 53 pikë. Pas bardhebluve vijnë Kukësi, Laçi dhe Skënderbeu.

Tregime të lidhura