Sport

Vettel largohet nga Ferrari në fund të sezonit

Përditësimi i fundit: 12/05/2020 - 10:47
Text size Aa Aa

Në fund të këtij sezoni piloti i Formulës 1, Sebastian Vettel do të largohet nga Ferrari.

Lajmi u konfirmua të martën nga zyrtari i skuadrës italiane, Mattia Binotto, i cili tha se palët janë ndarë me mirëkuptim pasi nuk gjetën dakordësi për të vazhduar më tej me një kontratë një-vjeçare.

Gjermani, 32-vjeçar, është shprehur se “nuk ka pasur më dëshirë të përbashkët për të vazhduar bashkë”.

Vettel, katër herë kampion bote në Formulën 1, ka theksuar se në mungesën e dakordësisë nuk ka ndikuar aspak aspekti financiar.

Tridhjetë e dy vjeçari do të mbyllë kështu një përvojë prej 4 sezonesh te Ferrari, atje ku kaloi në vitin 2015.

Pritshmëritë për të ishin tejet të larta, por ai në asnjë moment nuk arriti dot të përmbushte ëndrrën për një titull kampion me kokëkuqen.

Në sezonin e tij të parë fitoi vetëm 3 gara. Në vitin 2016 e mbylli kampionatin i katërti, ndërsa në vitet 2017-2018 pati një formë më të mirë duke fituar disa gara e duke konkurruar për titull.

Megjithatë titulli nuk erdhi kurrë duke humbur pothuajse gjithmonë përballë makinave Mercedes dhe sezoni 2019 ishte nga më të vështirët.

Në vend të Vettel, Ferrari po sheh mundësitë për të angazhuar spanjollin Carlos Sainz, i cili aktualisht është pilot i McLarenit, skuadër në të cilën mund të përfundojë gjermani.

Gjithashtu si mundësi përfliten edhe pilotë si Daniel Ricciardo apo Antonio Giovinazzi.