Sport

FSHF mbledh presidentët e klubeve, vendoset data për rinisjen e kampionatit

Përditësimi i fundit: 13/05/2020 - 12:58
Text size Aa Aa

Federata Shqiptare e Futbollit dhe klubet kanë tashmë dy data konkrete për të rinisur aktivitetin, më 18 maj të rinisen stërvitjet dhe më 3 qershor kampionati.

Ditën e sotme FSHF organizoi një mbledhje me të gjithë presidentët dhe administratorët e klubeve të kategorisë superiore në të cilën u diskutua rreth të gjitha mundësive.

Euronews Albania mësoi se gjatë kësaj mbledhjeje ka pasur dhe opinione kundër rinisjes së kampionatit.

Kështu, përveç opinionit të administratorit të Flamurtarit, Sinan Idrizi, edhe Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi është shprehur pro mbylljes së kampionatit pa u rikthyer në fushë për këtë sezon.

Ai ka shprehur shqetësime rrhet mundësisë që klubet të mund të sigurojnë masat e duhura për rinisjen e aktiviteteve.

Me mbylljen e kampionatit u propozua që më pas të merrej parasysh renditja aktuale.

Mirëpo shumica e drejtuesve të tjerë të klubeve nuk e kanë mbështetur.

FSHF i ka propozuar prej kohësh qeverisë që të lejojë rinisjen e aktiviteteve.

Në bashkëpunim me ekspertëve mjekësorë të Federatës ata i kanë propozuar edhe Komitetit Teknik të Ekspertëve një protokoll masash që do të duhet të marrin për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Ata i propozuan Komitetit që të kryhen teste para çdo ndeshjeje, por që ky propozim u hodh poshtë në takimin e një jave më parë.

Propozimi që mbetet në fuqi është që të rinisin aktivitetet pa tifozë dhe me masa të shtuara higjieno-sanitare, si për shembull matja e temperaturës, apo mbajtja e distancave.

Protokolli i parë është rishikuar dhe pritet t'i ridërgohet Komitetit Teknik.

Superliga u pezullua pas 9 marsit, kur u diagnostikua u infektuari i parë me COVID-19 në Shqipëri.

Në atë moment kampionati kryesohej nga Tirana me 53 pikë, ndërsa Partizani ndodhej në vendin e 6-të me 38 pikë, 3 më shumë se sa Vllaznia, e cila deri në javën e 26-të luftonte për të qëndruar në Superligë.

Lexoni gjithashtu:

Administratori i Flamurtarit kundër FSHF-së: Nuk ka kushte për të luajtur, kampionati të mbyllet

Futbolli ende në pritje, pa rezultat takimi mes FSHF-së dhe ekspertëve të shëndetësisë

Teste para ndeshjeve, FSHF propozon që kampionati të mbyllet në 30 korrik