Sport
Tirana marrëveshje me tatimet, Presidenti Halili: Klubi do të licencohet për kupat e Evropës

Kryesuesit e Superligës nuk rrezikojnë licencimin për në Kupat e Evropës. Diçka të tillë e ka deklaruar Presidenti i Tiranës Refik Halili, i cili tregoi se është arritur marrëveshja me tatimet.
Tirana nuk rrezikon licencimin për në Kupat e Evropës. Detyrimet e prapambetura kanë ngritur pikëpyetje nëse 24-herë kampionët do të kenë mundësi për të luajtur në arenën ndërkombëtare, por Presidenti Refik Halili tregon se klubi i tij i ka plotësuar të gjitha kriteret e licencimit.
“Tre kriteret që ka Federata Shqiptare e Futbollit dhe UEFA ne i kemi plotësuar, kështu që si dokumentacion është totalisht. Nëse ka ndonjë gjë që mungon, kemi kohë ta plotësojmë,” – u shpreh Halili.
Kriteri financiar është ai më i rëndësishmi, por në këtë pikë, numri një i klubit bardheblu zbulon se është arritur marrëveshja me tatimet.
“Marrëveshjen e kemi realizuar me tatimet, që janë shumë të rëndësishëm me rregullat që ka UEFA,” – tha Presidenti i Klubit të Futbollit Tirana.
Kur duhen dhe 10 javë deri nga përfundimi i sezonit, Tirana ka mbledhur 53 pikë. Ata kryesojnë kampionatin me 9 pikë avantazh nga vendi i dytë dhe me shumë gjasa do të sigurojnë një nga vendet që çon në kualifikueset e kupave të Evropës.
Lexoni gjithashtu:
FSHF mbledh presidentët e klubeve, vendoset data për rinisjen e kampionatit
Nuk u përfshinë në paketat ekonomike të qeverisë, Sindikata ndihmon futbollistët në nevojë