Sport

Rinis këtë fundjavë nën masa të rrepta sigurie Bundesliga

Përditësimi i fundit: 15/05/2020 - 16:11
Text size Aa Aa

Fundjava rikthen pas 2 muajsh pezullim kampionatin gjerman të futbollit me 6 ndeshje të shtunën dhe dy të dielën. Kjo do të jetë prova e parë serioze për rinisjen e aktiviteteve nën pandeminë e COVID-19 dhe për këtë do të ketë vëmendje maksimale edhe nga shtetet e tjera.

Federatat e shteteve të ndryshme të Evropës, përfshirë këtu edhe atë të Shqipërisë, presin të shohin rezultate, përpara se të ripropozojnë edhe më mirë kërkesat e tyre për rinisje të kampionateve.

Bundesliga, kampionati i parë evropian që pritet  të rinisë aktivitetin, do të rifillojë nga java e 26-të dhe me luftën e hapur për titull dhe po aq për mbijetesë.

Bayern Munich (55), Dortmund (51), Leipzig (50) dhe Borussia Monchengladbach (49) kanë vetëm 6 pikë diferencë me njëra tjetrën.

Leverkusen dhe Schalke luftojnë për një vend në kupat e Evropës, ndërsa Werder dhe Paderborn luajnë shanset e tyre për të shmangur rënien nga kategoria. Në këtë pikë gjërat i kanë të vështira pasi kanë diferencë të madhe, ndryshe nga Dusseldorfi që me 22 pikë mund të luajë diçka me Mainzin, apo dhe Augsburgun.

Të shtunën luhen Augsburg-Wolfsburg; Dortmund-Schalke; Dusseldorf-Paderborn; Hoffenheim-Hertha Berlinit; Leipzig-Freiburg dhe Frankfurt-Borussia Monchengladbach.

Ndërsa të dielën është radha e Bayernit që luan transfertën me Union Berlin teksa Koln pret Mainzin.

Ndeshjet do të luhen pa tifozë dhe me masa të rrepta sigurie shëndetësore për të mënjanuar në maksimum infektimin e lojtarëve dhe personeleve të klubeve.

Në impiantin sportiv do të lejohen maksimumi deri në 213 persona, ku përfshihen, 98 në fushë: 5 arbitra, 15 personel të sistemit VAR, 22 lojtarët, 18 rezervat, 20 anëtarët e stafeve të ekipeve, 4 mjekë, 4 punonjës sigurie, 4 mbledhës të topave, 3 përgjegjës higjiene, 3 fotografë dhe pjesa tjetër prej 115 personash do të jenë në stadium, ku përfshihen zyrtarë, mjekë, policë, zjarrëfikës dhe operatorë televizivë.

Dhomat e zhveshjes do të lejohen për t’u përdorur vetëm për 40 minuta dhe me distanca të sigurta fizike, distanca që duhet të ruhen edhe kur lojtarët të kalojnë për në fushë.

Në fillim dhe në fund të ndeshjes lojtarët dhe zyrtarët nuk do t’i japin dorën njëri-tjetrit, ndërsa në stol të gjithëve do t’u duhet të mbajnë maska.

 

 
 
 
 
 
 

Tregime të lidhura