Sport

Kampionati spanjoll merr dritën jeshile për të rinisur pas 8 qershorit

Përditësimi i fundit: 23/05/2020 - 16:48
Text size Aa Aa

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez njoftoi të shtunën se i ka dhënë dritën jeshile rinisjes së kampionatit të futbollit.

Kështu pas një pezullimi prej rreth 3 muajsh, La Liga pritet të rifillojë pas 8 qershorit.

Sánchez deklaroi se rinisja e aktiviteteve sportive parashikohet te faza e tretë e hapjes së vendit nga shtetrrethimi disa mujor prej pandemisë së COVID-19.

Rinisja e kampionatit pritet të bëhet më 9 qershor me ndeshjen Rayo Vallecano-Albacete, ndeshje e pezulluar dhjetorin e shkuar.

Reali i Madridit, Barcelona dhe një pjesë e skuadrave kryesore spanjolle pritet t’i luajnë ndeshjet e para të rinisjes së kampionatit më 12 ose 14 qershor.

Federata Spanjolle e Futbollit dhe klubet kanë shprehur prej javësh synimin për ta përmbyllur sezonin përpara muajit gusht, muaj në të cilin parashikohet të përmbyllet dhe kompeticioni evropian me Champions dhe Europa League.

Kështu me dhënien e lejes, klubet kanë mundësi tashmë t’i rifillojnë zyrtarisht edhe stërvitjet në grup, stërvitje që pritet të rinisin pas së hënës.

Kampionati spanjoll u ndërpre më 10 mars teksa luhej java e 27-të. Në krye mbetet Barcelona me 58 pikë, pas vijnë Real Madrid (56 pikë) dhe Sevilla (47 pikë).

Spanja numëron mbi 234 mijë të infektuar me COVID-19 dhe është ndër 5 vendet më të prekura nga pandemia.

Në raport me popullsinë ajo ka bilancin më të rëndë të vdekjeve në botë, 576 vdekje për çdo 1 milionë banorë.

 

Lexoni gjithashtu:

Jepet leja për prishjen e impiantit emblematik "San Siro"

Vëllezërit Marquez në pistë, pilotët e Hondas nisin përgatitjet për fillimin e kampionatit në Moto-GP

 

Tregime të lidhura