Sport

Takimi i “Play Out” me Besëlidhjen, Vllaznia kërkon të lejohen tifozët në stadium

Përditësimi i fundit: 01/08/2020 - 20:52
Text size Aa Aa

Vllaznia dhe Besëlidhja do të masin forcat përballë njëra-tjetrës për të përcaktuar se cila prej tyre do të luajë sezonin e ardhshëm në Superligë. Takimi do të lihet të dielën në stadiumin “Loro Boricci” dhe shkodranët përvecc faktorit fushë kërkojnë që të  lejohen dhe tifozët nisur nga kërkesa e Federatës Shqiptare të Futbollit për të lejuar tifozë në finalen e Kupës së Shqipërisë.

“Vërtetë finalja e Kupës së Shqipërisë është finale, por edhe sfida jonë është një "finale" dhe për më tepër, një ndeshje që pritet me shumë interes nga tifozëritë e të dy ekipeve. Për këtë arsye, kërkojmë nga ana Juaj që përpos dëshirës për të patur tifozë në ndeshjen finale të Kupës, ato të lejohen konform rregullave dhe distancimit edhe në ndeshjen Vllaznia- Besëlidhja”, thuhet në letrën e firmosur nga administratori i Vllaznisë, Suad Lici.

Ndeshja mes Vllaznisë dhe Besëlidhjes do të luhet në datën 2 gusht në orën 19 në Shkodër. FSHF u ka bërë thirrje autoriteteve shtetërore që të lejojnë zhvillimin e finales së Kupës së Shqipërisë me një numër të reduktuar tifozësh në stadium, që do të luhet më 2 gusht. Prej muajit mars, kur dhe pati një pezullim disa-mujor, në stadiumet e Shqipërisë nuk lejohen tifozët, kjo për shkak të pandemisë së COVID-19.