Sport

Sonte finalja e Kupës së Shqipërisë, Policia e prerë: Asnjë grumbullim jashtë stadiumit

Përditësimi i fundit: 02/08/2020 - 13:41
Text size Aa Aa

Pavarësisht se Federata Shqiptare e Futbollit kërkoi që finalja e KupësShqipërisë të zhvillohet me praninë e tifozëve, Policia e Tiranës deklaron se nuk do të lejohet grumbullimi i tifozëve në sheshet dhe ambientet përreth stadiumitAir Albania”. Ndeshja mes Teutës dhe Tiranës luhet sonte në orën 20: 00.

Policia sqaron se masat do të jenë të njëjta me ato që u aplikuan gjatë ndeshjes Tirana-Bylis. Do të lejohen të futen në stadium vetëm ata persona të caktuar nga ekipi dhe FSHF, sipas protokollit sanitar “Për organizmin e ndeshjeve të futbollit”.

Nëse do të konstatohen shkelje të protokollit, autoritetet do të ndërhyjnë dhe do të vendosen masa administrative sipas aktit normativ ndaj të gjithë personave përgjegjës. Nuk do lejohen grumbullime të tifozëve në sheshe apo në ambientet përreth. Në rast grumbullimi, Policia e Tiranës thotë se do të ndërhyjë për shpërndarjen e tyre.

Disa segmente rrugore përreth stadiumit do te bllokohen prej orës 17 00 duke mos lejuar lëvizjen as të mjeteve dhe as të këmbësorëve.

Një ditë më parë Federata Shqiptare e Futbollit kërkoi nga autoritetet shëndetësore që të lejojnë praninë e tifozëve në këtë ndeshje. Me këtë propozim, Federata kërkoi të ndjekë shembullin e Francës që lejoi pjesëmarrjen e një numri të limituar tifozësh në finalen e kupës që u fitua nga PSG-ja.

Pjesëmarrja e tifozëve në stadiumet shqiptare është ndaluar që në muajin mars kur u konfirmua edhe rasti i parë më coronavirus.