Sport

Sponsori i Vllaznisë: Kërkesat tona janë të hershme, jemi lodhur nga premtimet e vazhdueshme

Përditësimi i fundit: 16/09/2020 - 09:13
Text size Aa Aa

Sponsori i Vllaznisë, Alban Xhaferri tha për Euronews Albania se kërkesat që ka bërë Liga janë të hershme ndaj është caktuar një grup negociator që do të flasë direkt me kryeministrin.

Sipas tij, asnjë qeveri nuk ka bërë diçka për sportin dhe ka ardhur momenti që kësaj çështjeje t’i jepet një zgjidhje definitive.

I pyetur nëse bojkoti është mënyra e duhur për të arritur në zgjidhjen e këtyre kërkesave, Alban Xhaferri iu referua bojkotit si një masë ekstreme dhe theksoi se pa u ezauruar disa etapa nuk mund të ndërmerret ky hap.

“Le të shpresojmë se dhe me daljen e z. Ylli dhe të ministres të fillojnë dhe të lëvizin gjërat me pozitivitet”, - tha z. Xhaferri.

Ai përfundoi duke thënë se të gjitha klubet do vazhdojnë me po të njëjtin qëndrim dhe janë në dakordësi të plotë me njëri-tjetrin.

Një ditë më parë, në një deklaratë për mediat ministrja e Ekonomisë, Anila Denaj dhe deputeti socialist Fidel Ylli i cilësuan kërkesat e Ligës si shantazh ndaj qeverisë dhe kërkuan uljen në tryezë për zgjidhjen racionale të këtyre kërkesave. Liga Profesioniste kërkon nga qeveria përmbushjen e katër pikave, duke nisur nga ulja e TVSH-së në masën 6%, falja e gjobave dhe kamatëvonesave të detyrimeve tatimore, fiskale dhe të sigurimeve të prapambetura. Gjithashtu, kërkohet shtrirja e pezullimit të tatimit mbi të ardhurat e lojtarëve nga 2 në 10 vite, si dhe miratimin e ligjit të sponsorizimeve ndërtuar në bashkëpunim me aktorët e sportit.

 

Lexoni gjithashtu : 

Kërkesat e Ligës, Fidel Ylli: S’është normale t’i bëhet presion qeverisë. Bëmë investime në sport sa për 100 vjet

Kampionati vijon bojkotin, klubet nuk tërhiqen nga katër kërkesat e tyre për qeverinë

Tregime të lidhura