Sport

Të gjithë sytë nga “Derbi i Madoninës”, me interes përballja Ibrahimoviç-Lukaku

Përditësimi i fundit: 17/10/2020 - 17:18
Text size Aa Aa

Pas pushimit të kombëtareve futbolli rikthehet në versionin më të mirë të tij. Fundjava rezervon “Derbin  e Madoninës” mes Milanit dhe Interit një nga ndeshjet më spektakolare të globit.

Sigurisht që nuk do jetë si më parë pasi në “San Siro” do të mungojnë 80 mijë spektatorët që i jepnin tonin e duhur kësaj sfide, por sërish pesha e fanellave që do zbresin në fushën e lojës garanton spektakël.

Në të dyja kampet do të ketë mungesa për shkak të Covid-19 por sërish si te Milan ashtu edhe te Inter e dinë mjaft mirë se nuk ka vend për justifikime e as për alibi pasi nuk do luhet vetëm për 3 pikët, nuk do luhet vetëm për fitore,  në lojë është krenaria e një qyteti të tërë.

Nuk do jetë thjesht një përballje mes dy skuadrave emblemë të Serisë A, por do jetë një përplasje edhe mes dy sulmuesve Zllatan Ibrahimovic dhe Romelo Lukaku.

Suedezi është lokomotiva që tërheq një Milan me plot të rinj dhe përballë zi kaltërve pa diskutim që do të kërkojë të jetë lideri që do çoje skuadrën drejt suksesit, ndërkohë që në anën tjetër belgu kërkon të konfirmohet si një futbollist vendimtar për interin pasi diferenca bëhet në të tilla ndeshje.

Për momentin Milan ndodhet në vendin e 2 të renditjes me pikë të plota pas 3 javëve të para, ndërsa Interi në të katërtin, por është akoma herët për të folur për renditje pasi sezoni është shumë i gjatë. “Derbi Madoninës” do të luhet të shtunën në orën 18:00.