Sport

Kukësi kërkon kthesën ndaj Vllaznisë, verilindorët 5 ndeshje pa fitore

Përditësimi i fundit: 14/01/2021 - 16:56
Text size Aa Aa

Kukësi-Vllaznia është ndeshja më interesante e javës së 14-të në kategorinë Superiore, pasi kryesuesit e kampionatit do të ndeshen me nën-kampionët. Skuadra verilindore ka marrë vetëm 1 pikë në 5 ndeshjet e fundit si dhe ka pësuar 10 gola në tre ndeshjet e fundit e ndaj shkodranëve kërkon kthesën me çdo kusht.

“Është një ndeshje shumë decizive dhe delikate. Nuk mund të gabojmë më. besoj se do arrijmë rezultate pozitive, por duhet të bëjmë shumë kujdes, pasi skuadra e Vllaznisë ka një skuadër shumë të fortë dhe me meritë është në vendin e parë", tha Rraman Hallaçi, trajner i Kukësit.

Në Shkodër e shohin veten 9 pikë para vendit të dytë dhe ndaj Kukësit janë të qetë, edhe pse kërkohet impenjim maksimal, për të mos dalë duarbosh.

"E kemi marrë shumë seriozisht këtë ndeshje. I dimë pikat e forta të Kukësit. Duhet të përballemi shumë mirë me ta. Të bëjmë maksimumin për të fituar dhe të marrim pikë ndaj tyre", deklaroi Thomas Brdariç, trajneri i Vllaznisë.

Në takimin e fazës së parë, Kukësi arriti që të fitonte në “Loro Boriçi” me rezultatin 2-4.