Sulmuesi spanjoll Ferran Torres përfundoi të martën procedurat për kalimin tek Barcelona, duke i thënë lamtumirë Manchester City-t.
Detajet financiare nuk u zbuluan, por mediat spanjolle dhe ato britanike raportuan se klubi katalanas do të paguajë rreth 55 milionë euro për lojtarin, plus 10 milionë euro të mëtejshme.
Barcelona bëri me dije se kontrata e Torres vlen deri në vitin 2027 dhe se lojtari do të ketë një klauzolë blerjeje prej 1 miliard euro.
“Përshëndetje miq, shihemi së shpejti”, u shpreh lojtari në një video.
Torres u bashkua me Manchester City-n në gusht të vitit të kaluar dhe në 43 paraqitje shënoi 16 gola.
Barcelona u detyrua të lejonte golashënuesin legjendar të saj Lionel Messi të linte klubin këtë vit për shkak të “pengesave financiare dhe strukturore” dhe ka borxhe që arrijnë deri në 1.35 miliard euro.
Opsionet e sulmit të klubit u dobësuan më tej nga tërheqja e yllit tjetër argjentinas Sergio Aguero, këtë muaj për shkak të problemeve me zemrën.
Nga ana e tij, Torres nuk luan që kur pësoi një frakturë në këmbë në tetor, gjatë Ligës së Kombeve, ku Spanja u mund nga Franca në tetor.