Dy yjet e futbollit, Robert Lewandowski dhe Kylian Mbappe kanë kundërshtuar idenë e propozuar më herët nga FIFA për mbajtjen e Kupës së Botës çdo dy vjet.
Nga Dubai, ku u shpall lojtari i vitit nga ndjekësit e rrjetit social TikTok dhe siguroi titullin “Diego Armando Maradona” për golat e shënuar, ylli i Bajernit të Mynihut deklaroi se në aspektin fizik të lojtarëve, ideja është e pamundur.
Sipas tij, mbajtja e eventit të shumëpritur çdo dy vjet do të zhgënjente pritshmëritë e fansave pasi performanca e lojtarëve do të rezultonte e dobët.
“Nuk jam dakord. Ne kemi shumë ndeshje në vit dhe periudha shumë të vështira për t’u përgatitur jo vetëm për një ndeshje të vetme, por për të gjithë sezonin. Nëse dëshiron të bësh diçka të veçantë, atëherë duhet të bësh një ndërprerje dhe kjo nuk ka të bëjë me pushimin 2-3-javor që ne kemi në verë, që për çdo dy vjet nuk mjafton. Gjithashtu duhet të mendosh për të ardhmen. Nëse do që ta bësh 1 herë në 2 vjet, atëherë duhet të presësh që niveli i lartë i lojtarëve të bjerë. Pra, është e pamundur për trupin dhe mentalitetin”, tha Robert Lwandowski, sulmues i Bajernit të Mynihut.
Ndërsa për Mbappe, i cili mori titullin e Lojtarit të Vitit për meshkuj, nëse do të bëhej një herë në 2 vjet, Kupa e Botës do të humbiste magjinë e saj.
“Mendimi im është se Kupa e Botës është diçka e veçantë, sepse luhet një herë në 4 vjet. Nëse dëshiron ta ruash atë veçanti, atëherë nuk mund ta bësh. Nëse bëhet çdo dy vjet Kupa e Botës do të kthehet në diçka normale dhe unë dua të them se ajo nuk është diçka e tillë. Është një gjë fantastike që mund ta luash njëherë në jetë dhe këtu jam dakord me Robertin”, tha Kylian Mbappe, sulmues i Paris Saint German.
Në ceremoninë e Global Soccer Awards, e mbajtur në kullën Burj Khalifa, Cristiano Ronaldo mori çmimin e goleadorit të të gjitha kohërave, ndërsa Italia atë të kombëtares së vitit.