Autoritetet australiane i refuzuan vizën tenistit serb Novak Djokoviç pasi ai mbërriti në Melburn të mërkurën në mbrëmje për të mbrojtur titullin e tij në turneun e tenisit “Australian Open”.
Policia Kufitare Australiane lëshoi një deklaratë të enjten, në të cilën thuhet se Djokoviç nuk arriti të siguronte provat e duhura për të plotësuar kushtet e hyrjes në vend dhe “më vonë atij iu anulua viza”.
Djokoviç, një nga tenistët më të mirë në botë, udhëtoi në Australi pasi mori një autorizim mjekësor që e përjashtonte atë nga respektimi i rregullave të rrepta të vaksinimit kundër coronavirusit, për të marrë pjesë në kampionatin “Australian Open”, të cilin ai e ka fituar nëntë herë.
Mediat australiane raportuan se ekipi i Djokoviçit kishte aplikuar për llojin e gabuar të vizës për një person me autorizim mjekësor. Avokatët e Djokoviçit pritet të apelojnë vendimin, i cili erdhi pasi ai kishte kaluar më shumë se tetë orë në aeroportin e Melburnit, duke pritur për të mësuar nëse do të lejohej të hynte në vend.
Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha në një postim në Instagram se kishte komunikuar me Djokoviçin ndërsa ai po mbahej në aeroport dhe shtoi se autoritetet serbe po marrin masa “në mënyrë që keqtrajtimi i tenistit më të mirë në botë të ndalet brenda një periudhe kohore sa më të shkurtër.”
Sipas rregullave të qeverisë së shtetit Viktoria, vetëm lojtarët, stafi, tifozët dhe zyrtarët plotësisht të vaksinuar mund të hynin në Parkun e Melburnit ku fillon turneu më 17 janar.
Djokoviç rezultoi pozitiv për coronavirusin në vitin 2020 pasi luajti në një sërë lojërash që ai organizoi në Serbi dhe Kroaci pa distancim fizik në mes të pandemisë.
LEXONI GJITHASHTU: