Trashed

SHIH, DËGJO DHE SHKRUAJ

Përditësimi i fundit: 25/05/2019 - 14:25
Text size Aa Aa

Eurosong-u nuk është i shijes sime dhe nuk e ndjek: dhe aq më pak këto vite, kur mediat, të paktën tek ne, e përcjellin si të ishte karneval i gjeopolitikës. Por më ngacmoi titulli i këngës që përfaqësonte Shqipërinë, Ktheju tokës, të interpretuar nga Jonida Maliqi, në fillim ngaqë m’u duk se përmban një gabim gramatikor; pastaj ngaqë më çoi në mendje politikën e kthimit të refugjatëve dhe emigrantëve ekonomikë; dhe më në fund, një interpretim që e pashë diku, për shkelje syri ndaj kthimit të hebrenjve në Izrael; dhe një interpretim tjetër, edhe më të pagjasë, për Luftën e Kosovës. Mbase gjetiu do ta kenë lidhur edhe me shqiptarët që kanë vajtur të luftojnë për ISIS-in…

Ja edhe teksti, siç e gjeta në Internet:

Ti kendon edhe qan
Në duar lotët mbledh
I mban…

Një ditë jeton
Në tjetrën vdes
Sa mall, pak shpresë
I vetëm, pa identitet

Ktheju tokës tende
O njeri që zemrën lë peng
Ktheju tokës tende
Ti e di një zemër të pret

Një ditë jeton
Në tjetrën vdes
Sa mall, pak shpresë
I vetëm, pa identitet

Ktheju tokës tende
O njeri që zemrën lë peng
Ktheju tokës tende
Ti e di një zemër të pret

Kënga i drejtohet një “njeriu”, që qan, që ka mall, që ka pak shpresë, që ka lënë zemrën peng dhe e fton: “ktheju tokës”, sepse atje “një zemër të pret”.

Lotët, toka, zemra, vetmia, pengu, jeta, vdekja – këta janë përbërës të një teksti klishe; për fat të keq, kënga nuk sjell shumë më tepër. Ky tipi që “në duar lotët mbledh”, na prezantohet thellësisht i deprimuar, “i vetëm” dhe, sikur kaq të mos mjaftonte, “pa identitet”. E vetmja meritë e këtij cilësimi të dytë, “pa identitet”, është që edhe ky është klishe, por i përket një diskursi tjetër; dhe të paktën e thyen harmoninë sentimentale të lotëve dhe të zemrave.

Pastaj vjen kjo “ktheju tokës” – ose ftesa për t’u kthyer. Toka këtu është një zgjedhje pak kurioze, mes klisheve: poeti atdhetar do të kish preferuar “dheun” ose “baltën”; duket sikur “toka” sjell me vete edhe idenë gjeorgjiketë së mbirit, të bimës, të bujqësisë ose të produktivitetit; gjithë duke larguar asociacionin e “dheut” me varrin.

Por “ktheju tokës” të vret veshin; folja kthehem zakonisht kërkon një rrethanor vendi – kthehem në shtëpi, kthehem në atdhe, kthehem në identitet; përkundrazi, me një trajtë të shkurtër të dhanores, përdoret me kuptime të tjera, p.sh. u kthehem studimeve, ose iu kthye së shoqes gjithë inat; ndoshta do të pranohej edhe një përdorim i tipit eshtrat ia kthyen dheut, por është tepër solemn. Për mua, ktheju tokës vjen si licencë poetike, por pak e sforcuar.

Kënga është moralizuese: i shpjegon një të ikuri pse duhet të kthehet. Në kontekstin e sotëm, kur Europa – kjo “tokë” e Eurosong-ut – është përfshirë nga debatet rreth imigracionit dhe politikave me ata që duan të vijnë, kjo “ktheju tokës” tingëllon si politikisht not cool, çfarë nuk meriton të qortohet në vetvete; duke risjellë në imazherinë kolektive tokën si metaforë dhe si simbol. Ata që ikin, tokën nuk e marrin dot me vete. Prandaj edhe tokamund të jetë gjithçka në këtë mes, përveçse klishe sentimentale: sjell me vete edhe metaforën tjetër të rrënjëve dhe përqasjen e njeriut (dhe të identitetit të njeriut) me bimësinë; alternativisht, të kujdesit për tokën. Po të rrëmosh shumë në interpretim, do të gjesh ndoshta edhe një fillesë ekologjike/ ambientaliste.

E megjithatë, teksti parapëlqen të kthehet në klishe më të sigurta, ai ajo e vetmisë: “një zemër të pret”; çfarë edhe ia parathotë kësaj kënge riciklimin në shportën e madhe të klisheve të pop-it shqip. Dhe ja pse: publiku që e ndjek tekstin, ka nevojë për një narrativë: pse është kaq i vetmuar ky njeri? Pse pa identitet? Pse një ditë jeton në tjetrën vdes? Pse e ka lënë zemrën peng? Etj. Janë të gjitha premisa për një histori që pastaj nuk na e rrëfen kush. Po ta krahasosh këtë me këngët që fituan vendin e parë dhe të dytë: “Arcade”, e Holandës, e shtjellon metaforën e një slot machine, duke arritur të rrëfejë një histori çuditërisht të freskët; ndërsa “Soldi”, e Italisë, edhe ajo rrëfen për një fëmijëri të shkuar dëm. Të dyja e angazhojnë dëgjuesin; ose të paktën atë lloj dëgjuesi që u vë veshin teksteve. Dhe, si përftesë, kjo ka efekt më të fortë se moralizimi; aq më tepër, moralizimi si ai i këngës shqiptare, që pason një diagnostikim falas: Askush nuk ka dëshirë që t’i thonë se “je pa identitet”.

Për respekt ndaj lexuesit të Peizazheve, e dëgjova edhe këngën vetë edhe në video, edhe në transmetimin nga salla. I mirë a i pamirë, teksti nuk merret vesh me të dëgjuar; por ata që ndjekin Eurosong-un nuk presin që ta kuptojnë tekstin nga kënga – e kanë të gatshëm. Kënga vetë m’u duk pak e sheshtë (flat), a sikur nuk kish arritur të zhvillohej plotësisht (hyrja si e shtuar në momentin e fundit, momentet mbushëse prej pop-i maroken); njëfarësoj, sikur kish mbetur edhe ajo pa tokë dhe pa identitet (melodisë i mungonin hooks njëlloj siç i mungonin edhe tekstit joshat për dëgjuesin). Videoja zyrtare nuk më la mbresë të mirë – m’u duk e bërë on the cheap, me efekte po aq klishe sa ato të tekstit, por të ndryshme nga përmbajtja: uji, zjarri, tymi, shiu, fëmija në slow motion dhe një shqiponjë e pamungueshme në fund. Nuk di pse, më kujtoi luftën e tanishme në Siri. Zëri i Jonidës dhe interpretimi vokal më pëlqyen më shumë, çfarë më bëri të mendoj se me një produksion tjetër – tekst më të mirë, muzikë më të artikuluar e kështu me radhë, ajo mund të kish dhënë shumë, po shumë më tepër. Të gjitha këto i them me rezervë, duke dashur t’i ndaj me ju, sepse nuk jam në gjendje ta vendos këngën në kontekstin e festivalit dhe as ta lexoj me kodet e Eurosong-ut; sikurse nuk e njoh karrierën e artistes dhe të autores së këngës (Eriona Rushiti, muzika dhe teksti).

Pyes se çfarë mund të pritet nga këngë të tilla dhe me ç’mënyrë duhet ta përfaqësojnë ato Shqipërinë. Po të përjashtojmë provokimin (që tashmë është edhe ai klishe) dhe folklorin e folklorizmin; po të lëmë mënjanë “shqiptarinë”, nuk mbetet shumë: por të paktën publiku ende reagon ndaj sinqeritetit, ndaj një historie të thjeshtë të rrëfyer me ritmin e vetë këngës, edhe kur krijimit i mungon origjinaliteti – meqë Eurosong-u nuk është platformë për eksperimente mirëfilli muzikore. Këngë me “mesazh” janë OK, sa kohë që mesazhi nuk është predikues (preaching).