Trashed

Hamilton fiton në Monako

Përditësimi i fundit: 14/11/2019 - 09:19
Text size Aa Aa

Ljuis Hemiltoni i mbijetoi një kontakti të vonshëm me Maks Verstapenin për të fituar Çmimin e Madh të Montekarlos në Formula 1, ndërkohë që një incident në “pit-stope” me Valteri Botasin i kushtoi pilotit të ri holandez të Red Bullit vendin e vendin e dytë dhe podiumin. Hemiltoni i rezistoi më shumë se 60 xhiro presionit të Verstapenit për të ruajtur fitoren pavarsisht se kishte detyrën e vështirë për të administruar deri në skaje gomat më të butë sesa ndjekësit e tij. Ndërsa Verstapen nuk ishte në gjendje të parakalonte “Mercedes”-in e britanikut, pavarësisht një përpjekjeje kokëkrisur dy xhiro nga fundi dhe u detyrua të zbriste nga vendi i dytë, në të katërtin, si rrjedhojë e një dënimi me 5 sekonda për shkak të incidentit me Botasin. Piloti holandez doli me nxitim nga ndërrimi i gomave dhe, ndonëse ishte pak përpara finlandezit të “Mercedes”-it, vijoi ta shtynte Botasin drejt murit, duke ia marrë vendin e dytë, por duke e bërë kundërshtarin të hynte sërish për të ndërruar gomën e shpuar. Natyrisht, gara e Principatës u karakterizua në gjysmën e parë të saj nga garimi i të riut vendas, Sharl LëKlërk, i cili u nis nga vendi i 15-të, për shkak të gabimit të “Ferrarit” në provat zyrtare, por vijoi të fitonte, edhe falë një pilotimi kokëkrisur, disa vende, derisa përplasja me Hulkenbergun e detyroi të zvarritej deri në “pit-stop”, e më pas të tërhiqej. Në përfundim, Hemiltoni mori vendin e parë dhe e thelloi edhe më tepër kryesimin ndaj shokut të tij të skuadrës, Botas, ndërsa “Ferrari” mund të ngushëllohet me faktin se vendi i dytë i Sebastian Fetelit theu më në fund hegjemoninë e dy vendeve të para të 5 garave të fillimsezonit për “Mercedes”-in.