Urban Story

Urban Story: Po ju i njihni ata që kanë bërë historinë e qytetit tuaj?

Përditësimi i fundit: 19/09/2020 - 09:48
Text size Aa Aa

Para viteve `90, njerëzit e një qyteti në mos me emër, të paktën me fytyrë e njihnin njëri – tjetrin. Aq më tepër nëse këta persona kishin bërë historinë e zonës së tyre, i njihte i madh dhe i vogël. Në qytetet e vogla, madje, pas çdo emri njihej edhe historia e jetës së tij. Sot, ndryshimi i stilit të jetës na ka bërë që të mos njohim as fqinjët tanë.

Ndaj, ndoshta ka ardhur momenti që të prezantohemi me ata, që gurë pas guri, ditë pas dite dhe punë pas pune kanë ndërtuar këtë qytet, ku jeton 1/3 e popullsisë së vendit, Tiranën. Nuk ka rëndësi nëse janë persona të njohur publik apo njerëz të thjeshtë. Me punën e tyre ata i kanë dhënë jetë këtij qyteti.

Urban story, historia e jetës dhe karrierës së secilit prej këtyre personazheve nis rrugëtimin të hënën e 21 Shtatorit në Euronews Albania. Disa prej tyre mund t’i keni shumë të njohur, mund edhe t’i keni duartrokitur në skenat e mëdha, nga ekrani i vogël i televizorit apo nga stolat e stadiumeve. Por këtë here, ata do iu udhëheqin në një udhëtim imagjinar, përmes kujtimeve, ngjarjeve, vendeve ku kanë mësuar fjalët e para, ku janë formuar, rrëzuar, ngritur, xhelozuar e triumfuar. Për secilin do të mësoni sekrete që i kanë shoqëruar për shumë gjatë në jetën e tyre.

Ashtu siç do të njihni disa personazhe të tjerë, që edhe pse nuk e kanë famën e këtyre të parëve, kanë sakrificat që i kanë kushtuar këtij qyteti. Është kurioze të dish se kush qëndron pas punëve të mëdha dhe të vogla të tij. Çfarë fytyre ka ai apo ajo, si e ka emrin dhe përse duhet të gëzojë mirënjohjen e këtij qyteti.

Urban story, do iu prezantojë çdo të hënë dhe të premte në orën 18.00, me personazhe që i kanë shërbyer apo vijojnë t’i shërbejnë këtij qyteti. Në mënyrën e tyre, me atë që dinë të bëjnë më mirë, janë bërë pak nga pak, vit pas viti, Tirana e sotme, Tirana shekullore.

Tregime të lidhura