Urban Story

URBAN STORY/ Marjana Kondi: Jam për ndërtimin e një teatri të ri dhe modern!

Përditësimi i fundit: 28/09/2020 - 18:23
Text size Aa Aa

E njohin të gjithë si aktoren që shkakton humor me batutat, mimikën dhe rolet që ka luajtur. Por pakkush e ka dëgjuar Marjana Kondin të rrëfejë pa dorashka gjithë jetën e saj. Në ciklin e rrëfenjave të Tiranës “Urban Story”, do të njihni një vajzë tiranase, të gjallë, me pasione, me sekrete, me fobi por edhe me mendim kritik. Po, po mendim kritik! Gjatë rrëfimit në Urban Story në Euronews Albania, Kondi rikthehet për herë të parë pas 5 vitesh në rrugicën e ish Teatrit Kombëtar.

“Nuk kam shkelur aty që kur më hoqën nga puna”- thekson ajo. Dhe më shumë se ky vendim e vrau mosreagimi i kolegeve, heshtja e grave që duhet ta përkrahnin, siç thotë ajo në këtë rast. Por me ndërtimin e teatrit të ri, Kondi deklaron se do ta hedh pas krahëve këtë moment dhe do të luajë edhe ajo një rol në skenën e tij. Ka shpresë se ai do të bëhet modern dhe i denjë për Tiranën.

Ka qenë gjithmonë një vajzë rebele, që i pëlqejnë veshjet modern dhe nuk i druhet as rrudhave dhe as moshës. Në një kthim pas në kohë tregon se ka qenë nga të paktat vajza që i pëlqenin motorët në Tiranën e shumë viteve më parë. Por një aksident me të, bëri që ti kthehej ky mjet në fobinë e madhe të jetës.

“Shkoj shpesh në shesh, ku kam bërë aksidentin dhe hedh sheqer e kripë. Një rit që ma ka mësuar një fqinja ime”. Marjana Kondi rrëfen në këtë emision edhe pengun e saj të madh në jetë, faktin që ka bërë vetëm një fëmijë.

Emocionet dhe sekretet mbi jetën e kësaj aktoreje të mirënjohur të humorit shqiptar, na njohin kështu me një tjetër rrëfenjë të Tiranës, të qytetit me shumë histori mbi supe.