Urban Story

Valter Gjoni, enciklopedi që i rezistoi 10 kryebashkiakëve të Tiranës

Përditësimi i fundit: 03/10/2020 - 13:51
Text size Aa Aa

Studiuesi Valter Gjoni, një personazh që i ka dhënë shumë kryeqytetit, autor i më tepër se 10 librave, mban mbi supe çmime kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe ka luajtur disa role në filma shqiptar.

Në ciklin e rrëfenjave të Urban Story do të njihni më shumë rreth një njeriu babaxhan që e karakterizon mbi të gjitha qetësia dhe urtësia e marrjes së vendimeve.

Valter Gjoni tregoi për Urban Story se në librat e tij nuk ka as tregime, as romane, as novela, por flitet për 42 kryetarët e Tiranës, për 35 qytetarë nderi të kryeqytetit dhe më pas për gjurmime në Parkun e Tiranës.

Mosha e pensionit të tij nuk e pengon qytetin ta ndiejë të domosdoshme eksperiencën e tij të vyer.

“Saktësisht 36 vjet, janar '85 kam filluar punë dhe vazhdoj edhe sot. Kam kaluar pothuaj në të gjitha nivelet, inspektor, specialist, shef sektori, shef seksioni, drejtor dhe tani këshilltar”, - tha ai.

Teksa tregoi për vështirësitë që i është dashur të kalojë përgjatë viteve në punën në bashki, Valter Gjoni pohoi se edhe pse ka ndërruar shumë drejtues, ka ditur të ruajë me fanatizëm lirinë e tij.

Rrefimet se si ai nuk u bë kurrë pjesë e një partie politike janë shumë interesante.

“Vjen një gazetar në bashki në Komitetin Ekzekutiv dhe bën një shkrim. Thotë se në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës nuk ka asnjë punonjës pa parti, edhe tak u stopuan, se nga gjithë ai aparat ne ishim gati dhjetë veta që ishim pa parti. E bukura ishte se na tregonin si delet e zeza”, - u shpreh Valter Gjoni.

Ai nuk ngurroi të tregonte me urtësi se sa shumë e do qytetin e Tiranës duke thekuar se ndonjëherë punon edhe të dielave e për më tepër nëse ka organizime do të gjendet aty katër orë para për të kontrolluar gjithçka, teksa renditi njëkohësisht edhe çmimet e mirënjohjet jo vetëm kombëtare që ka marrë ndër vite.

Ndërkaq, për Valter Gjonin të gjithë kryebashkiakët që kanë punuar për qytetin e Tiranës kanë lënë gjurmë sipas mënyrës së tyre.

“Bashkia e Sali Kelmendit kishte për detyrë të siguronte dy gjëra në qytet, bukën dhe ujin. Bashkia e Bert Brojkës përblloi dy situata shumë të vështira, '97-ën dhe luftën e Kosovës. Bashkia e Ramës ishte ajo bashkia që filloi të konceptonte qytetin, bashkia e Lulit solli si të thuash një situatë qetësie kurse bashkia e Erjonit them se është dhe më e vështira, sepse në mandatin e Erjonit bashkia u trefishua”, - u shpreh Gjoni, teksa i vlerësoi kryebashkiakët pa bërë dallime partiake.

Duke sqaruar se të gjitha eksperiencat kanë qenë interesante, ai përmend ndër emrat që kishte më përzemër Edi Ramën, për të cilin theksoi gjithashtu se kishte një debulesë. Vazhdon më tej me Veliajn dhe Brojkën, por pa lënë pas as të tjerët, sepse siç u shpreh secili prej tyre ka bërë diçka.

Ndër të tjera Valter Gjoni tregoi për Urban Story se dashuria për artin i ka lehtësuar shumë punën në bashki e për më tepër kultura, arti e historia sipas tij duhen ruajtur me çfarëdolloj forme.

Në këtë mënyrë ka vijuar dhe puna e tij në bashki, si një njeri që ka lënë gjurmë në historinë e Tiranës, duke bërë gjëra të vogla, por me rëndësi të madhe për banorët e këtij qyteti.

Tregime të lidhura