Urban Story

Elvis Sina rrëfen sakrificat e mëdha për futbollin, nga rroga te birra e parë

Përditësimi i fundit: 12/10/2020 - 18:16
Text size Aa Aa

Bënte çdo ditë 2 orë rrugë në këmbë nga shtëpia në Sauk, deri në fushën ku stërvitej. Por mundi iu shpërblye një ditë. Elvis Sina, futbollisti legjendar i Tiranës, është personazhi i Urban Story këtë të hënë. Mbrojtësi i qendrës së djathtë, me fanellën me numrin 2, vjen në këtë rrëfim të veçantë për jetën e tij profesionale dhe personale gjithashtu. Ka prekur majat e futbollit shqiptar e në 18 vite karrierë në skuadrën e Tiranës, ka fituar plot 21 trofe.

Por fama ka një kosto. Dhe për Sinën nuk ka qenë një kosto e vogël. Rruga nëpër të cilën kaloi ishte e vështirë. Familja nuk i kishte mundësitë ekonomike dhe Sinës i mungonin edhe gjërat bazike për futbollin. Nuk kishte këpucët e duhura për stërvitje dhe as uniformë. Por duke parë talentin e tij në futboll, i ati vendosi që ta përkrahte për të arritur aty ku është edhe sot.

“Kam sakrifikuar që nga fëmijëria e hershme shumë. Shokët dilnin të luanin jashtë, ndërsa unë vetëm stërvitesha. 18 vjeç u bëra pjesë e ekipit të Tiranës, të cilin nuk e ndërrova asnjëherë. Edhe birrën e parë e kam pirë në moshën 22 vjeç”- rrëfen Sina.

Për ata që e njohin nuk është çudi që të bëjë deklarata të tilla: “Ka një skuadër me të cilën nuk do të luaja kurrë. Është Partizani!”

Futbollisti historik i Tiranës nuk druhet të tregojë shumën që ka marrë për kontratën e tij të parë. “Mora 2 milionë lekë të vjetër dhe i dorëzova të gjitha në shtëpi ( qesh ). Mbaj mend që babai më dha 50 mijë lekë të vjetër në dorë, të cilat i shpenzova për të blerë rroba për vete”.

Sina hyn në atë kategori personazhesh që i ka falur shumë jetës së këtij qyteti, Tiranës. Me lojën e tij spektakolare, ai ka dhuruar emocion, të qeshura, të qara, duke i shoqëruar me refrenin “O Tirona ooo, o kampionia ooo…”