Urban Story

URBAN STORY/ Rrëfehet mjeku Orion Gliozheni: Studiova për inxhinieri, por genet e familjes më shtynë drejt gjinekologjisë

Përditësimi i fundit: 19/10/2020 - 18:27
Text size Aa Aa

Ai njihet si mjeku që solli për herë të parë në Shqipëri metodën e fekondimit “in vitro”. Orion Gliozheni, është personazhi i radhës në Urban Story, ciklin e rrëfenjave të Tiranës. Duke u kthyer pas në kohë në rrëfimin e tij, mjeku obstetër – gjinekolog tregon se edhe pse ishte djali i Koço Gliozhenit, një mjeku të njohur në atë kohë, nuk iu imponua asnjëherë nga familja që të ndiqte rrugën e mjekësisë. Madje as nuk e kishte dëshirë edhe vet. Ndaj ndoqi studimet e larta në degën e inxhinierisë. Por shumë shpejt, ashtu siç pohon ai vet, genet familjare mbizotëruan.

“Ky ka qenë momenti, kur vendosa të nisja fakultetin e mjekësisë dhe të specializohesha për gjinekologji, ashtu si edhe tradita e familjes sime. Specializimin e bëra jashtë dhe mbaj mend që babai më nisi një letër, ku me shkruante se ishte vendimi im nëse qëndroja atje apo kthehesha në atdhe. Unë vendosa të kthehem dhe nuk jam penduar. I thashë babait, që u shkollova për t`iu shërbyer njerëzve të vendit tim”- kujton Gliozheni.

Në vitin 2004 ai eksperimentoi me sukses, procedurën e fekondimit “in vitro” në vendin tonë. Kjo metodë njihej shumë pak dhe në atë kohë u shoqërua me kuriozitet dhe jo pak paragjykim për çiftet që e provonin. Edhe pse, nevojat ishin të larta, pasi sipas statistikave 10% e çifteve nuk bëjnë dot fëmijë natyralisht për arsye nga më të ndryshmet. Nga “in vitro” e parë lindën dy vajza binjake.

“Sot binjaket janë 16 vjeçe dhe vijnë më takojnë ende. Është një kënaqësi e veçantë kur i shoh sot pas kaq shumë vitesh, të rritura. Tashmë kjo është kthyer në rutinë pune dhe kam kryer mbi 2.000 fekondime in vitro”- pohon Gliozheni.

Shumë nëna mund ta njohin si mjeku që i dha jetë foshnjeve të tyre, të tjera thjesht kanë dëgjuar të flitet për të në media. Megjithatë Orion Gliozheni është një tjetër personazh që ka lënë gjurmën e tij në jetën e kryeqytetit tonë, Tiranës.

 

Emisionin e plotë e ndiqni këtu.