Urban Story

URBAN STORY/ Arben Shtylla fonisti i Teatri të Kukullave në 120 premiera dhe qindra shfaqje

Përditësimi i fundit: 25/09/2020 - 18:01
Text size Aa Aa

Teatri i kukullave në Tiranë, është një vend i dashur jo vetëm për të vegjlit, por edhe për prindërit e tyre, pasi fëmijët kalojnë një kohë cilësore aty. Por përtej aktorëve që dalin në skenë, ka shumë të tjerë që punojnë pas kuintave për të kënaqur vogëlushët. Arben Shtylla është një prej tyre.

Beni ashtu si e njohin të gjithë, është personazhi që do të rrëfejë në Urban Story punën e tij pranë teatrit të kukullave si fonist për 35 vite.

Pasioni i tij për foninë filloi në moshën tetë vjeçare dhe u kthye në një profesion që do t’i përkushtohej gjithë jetën. Ai kujton se kishte dëshirë të punonte me telat elektrikë dhe të shikonte se si nëpërmjet tyre hapej drita dhe zëri, një pasion i trashëguar nga familja.

“Frymëzimi im ka qenë daja. Ai ishte një nga elektriçistët e parë në hidrocentralin e Vithkuqit dhe merrej me elektrikun dhe shumë riparime. Ma futi ai dëshirën për t’u marrë me pajisjetelektrike,”- tregon Shtylla.

Z.Shtylla rrëfen për Urban Story se puna e tij e parë si fonist ka qenë te Cirku ku dhe ka punuar për tetë vite. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur dhe që e ka ndihmuar profesionalisht, por nuk arriti t’i fitonte zemrën si teatri i kukullave.

Nga viti 1985 dhe deri tani, ka punuar si fonist në teatër duke i dhënë zë dhe dritë kukullave për 35 vite.

Kjo punë sigurisht që ka pasur dhe momente të vështira dhe ai i ndan për emisionin këto momente.

“Momente të vështira ka kur në mes të shfaqjes të ikin dritat dhe ka ndodhur disa herë. Aty e gjen veten të pafuqishëm për të bërë diçka. Ka ndodhur që është anuluar shfaqja pasi kanë ikur dritat dhe nuk kanë ardhur më,”- shprehet Z.Shtylla.

Sigurisht që ka pasur dhe momente shumë të bukura një ndër to është shfaqja e parë e tij në teatër e cila ishte Ditëlindja e Pinokut, që i ka dhuruar emocione të mëdha.

Mbas gjithë këtyre viteve punë, ai largohet nga teatri pasi ka dalë pension, por premton që do rikthehet sërish në çdo premierë të tij duke falënderuar të gjithë ata që e kanë duartrokitur.