Urban Story

URBAN STORY/ Sotirulla Hoxha cicerone e Muzeut Kombëtar: Muzeu shtëpia ime e dytë

Përditësimi i fundit: 15/10/2020 - 18:01
Text size Aa Aa

Personazhi i përzgjedhur nga Urban Story, cikli i rrëfenjave të Tiranës është këtë herë një zonjë që kush ka vizituar muzeun kombëtar nuk ka se si mos ta njohë. Sotirulla Hoxha e njohur si “Luli e Muzeut” i ka shërbyer këtij muzeu si cicerone për 34 vite.

Zonja Luli ka filluar punë në vitin 1981, që daton dhe me hapjen e Muzeut Historik Kombëtar. Muzeu është jeta e saj dhe dëshirën e saj për të punuar aty ia ka shprehur fillimisht shoqes së saj.

“ Ka qënë një zonjë grua që kur shpjegonte kishte një zë që tingëllonte, të bënte për vete edhe kur se kishe mendjen. Bashkë me një shoqen time nga Gjirokastra thoshim me njëra-tjetrën sikur ne të punojmë si cicerone,”-u shpreh Luli.

Sigurisht, gjithë këto vite në këtë profesion kanë pasur vështirësitë e tyre. Ajo kujton se në muze gjatë periudhës së regjimit komunist nuk ka qenë e vendosur fotoja e mbretit Zog dhe kur pyesnin për të ato mundoheshin që ta kalonin përgjigjen.

Znj.Hoxha tregoi për Urban Story se muzeun e kanë vizituar personazhe botërorë si Perez de Cuellar, Solana, por ajo veçon Gensherin të cilin ka pasur fatin ta shoqërojë në muze dhe i ka lënë mbresa ajo që ai shkruajti në fund të vizitës.

“Në fund gati pas dy orë vizite në librin e shënimeve shënoi ‘Një popull i vogël me një histori mjaft të madhe,”- tregoi Hoxha.

Në 34 vite pune në muze atë që ajo e quan një shtëpi të dytë ka pasur një pavion të cilin ajo e ka më përzemër dhe është pjesa që i takon Mesjetës, periudhës së Skënderbeut dhe asaj pas Skënderbeut.

Fati e donte që në 2012 të vinin dhe ekspozoheshin armët dhe përkrenarja e Skënderbeut. Këtë moment Luli e kujton me nostalgji, por atë së bashku me stafin i ka përlotur dita kur këto objekte duhet të largoheshin.

“Ishte dhembje dita kur erdhi momenti që u përgatitën armët dhe erdhën prapë austriakët t’i merrni. Ne na është dukur sikur ka ikur një pjesë e jona nga muzeu. I gjithë kolektivi bashkë me të ndjerin Moikom jemi përlotur,”- rrëfen Luli.

Luli e Muzeut e mbyll rrëfimin e saj duke treguar se muzeu ka nevojë për rikonstruktime dhe se duhet të marrë vendin e merituar.