Urban Story

URBAN STORY/ Rrëfehet Irini Qirjako: Që nga refuzimi i studimeve për këngë në Akademinë e Arteve, e deri tek jeta e saj personale dhe familjare

Përditësimi i fundit: 26/10/2020 - 18:20
Text size Aa Aa

Irini Qirjako, artistja e madhe e këngës popullore është personazhi që ka rrëfyer jetën e saj personale dhe profesionale në ciklin e rrëfenjave të Tiranës Urban Story.  Ajo na rrëfen për shumë pasion të tjera që e lidhin me muzikën përveç këngës. I bie çiftelisë, ka një piano ku luan shpesh është dirigjente dhe i bie në mënyrë të shkëlqyer fizarmonikës.  Kjo është Irini Qirjako që i këndon zemra dhe shpirti.

Talentin dhe pasionin për muzikën e ka marrë nga babai, i cili kishte një zë brilant. Familja e saj nuk e ka shtyrë drejt këngës, por talenti ishte i dukshëm dhe nuk mund të fshihej.

Irini kujton momentin kur ka marrë duartrokitjet e para në klasën e parë, të cilat do nisnin një kalvar duartrokitjesh për këngëtaren ndër vite. 

 “Më kujtohet kur vinte ora e muzikës, që në klasë të parë ngrita dorën dhe insistova shumë që të këndoja këngën. Hajde ti Irini më tha mësuesi pasi ti po insiston kaq shumë. U çova dhe këndova këngën. Mësuesi shtangu dhe gjithë klasa duartrokiti,”- tregon Irini.

 Pasi përfundoi liceun konkuroi për në Akademinë e Arteve dhe për çudinë e të gjithëve nuk fitoi. Ky zhgënjim i la një shije të hidhur, por vendosi që të mos tërhiqej nga rruga e artit. Ajo vazhdoi studimet për dirigjim.

Sapo përfundoi akademinë Irini u bë pjesë e Ansamblit Shtetëror për katër dekada. Këngëtarja tregon kur shkoi për herë të parë aty.

“Kur shkova për herë të parë mbaj mend që Vaçe Zela më mbështeti dhe ishte e lumtur që unë interpretoja me vëllain e saj. Nahile Hoxha me lidhte kaq bukur shaminë e kostumit. Ishin artistë të mëdhenj, por që jepnin shumë për brezin e ri,”- shprehet këngëtarja.

Një arstiste me dimensionet e Irini Qirjakos ka dhënë shumë koncerte brenda dhe jashtë vendit. Ajo kujton një festival ku ka fituar çmimin e parë së bashku më grupin që e shoqëronte.

“Kur shkuam në atë festival na pritën me përçmim, pasi Shqipëria shihej si përbindësh. Sa filluam koncertin ishte një qetësi absolute dhe kur mbarova këngën duartrokitjet ishin të stuhishme dhe një grup plakash në rreshtin e parë vetëm qanin,”- rrëfehet Znj.Qirjako.

Arti nuk ka gjuhë, talenti nuk ka kombësi por ai përpin këdo që e shijon. Këtë e ka vërtetuar ndër vite Irini Qirjako, të cilën kur e pyet se ku do ishte vendi i parë që do këndonte pas pandemisë shprehet sheshi i Tiranës.

Me kalimin e viteve muzika është modernizuar, por Irini bën një thirrje në fund të rrëfimit.

“Nuk dua të humbasë tradita jonë e këngës dhe valles popullore. Ne e kemi shumë të bukur traditën tonë. Nuk mund të shkatërrohet ajo që është e bukur,”- tha Irini Qirjako.