Presidenti Ilir Meta, ka paralajmëruar se do të japë dorëheqjen nëse Komisioni i Venecias deklaron se ai ka shkelur Kushtetutën kur anuloi zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
“Të thotë Komisioni i Venecias që Presidenti ka shkelur Kushtetutën dhe unë të rri President? Kurrë në botë. Unë kam bërë një punë normale, kam çdekretuar dekretin që kam nxjerrë vetë. Ky është një dekret ekskluziv i Presidentit”, ka thënë Meta.
Në fillim të korrikut, me kërkesë të Kuvendit të Shqipërisë, një delegacion nga Komisioni i Venecias udhëtoi drejt Tiranës, për çështjen e shkarkimit të Metës.
Të hënën, Presidenti Meta dha shpjegimet para Komisionit Hetimor, ku ndër të tjera u shpreh se e anuloi dekretin sepse kishte informacione se do të digjej Kuvendi.
Shkarkimi i Presidentit bëhet me shumicë të cilësuar votash që do të thotë 94 vota në parlamentin prej 140 deputetësh.
Votimi pritet të bëhet pas 3 muajve, kur 9 anëtarët e Komisionit të sapongritur hetimor do të paraqesin në Parlament raportin e tyre.
Vendimin përfundimtar për shkarkimin ose jo të Presidentit Meta do ta japë Gjykata Kushtetuese, që në Shqipëri nuk është funksionale.