LIVE | Rritet numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm në Shqipëri

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Është rënduar frikshëm bilanci tragjik i tërmetit të fuqishëm që tronditi vendin në orën 03:54 të mëngjesit të së martës.

Të enjten numri i viktimave u rrit në 46, teksa u nxor një tjetër trup i pajetë nga rrënojat e hotelit Mira Mare, në zonën e Plazhit të Durrësit.

Forcat e kërkimit nxorën mbrëmjen e djeshme trupat e pajetë të dy personave, nënë e bir, nga rrënojat e pallatit 6-katësh të shembur në lagjen nr. 18 në Durrës.

Ndërkohë, një tjetër lëkundje sizmike e fortë goditi në orën 15:45 të pasdites së të mërkurës Shqipërinë. Lëkundja ishte 5.3 ballë e shkallës Rihter dhe u ndje në shumë qytete të vendit. So pasojë e lëkundjes së fundit u shemb edhe një pallat që ishte dëmtuar shumë nga tërmeti i mëngjesit të 26 nëntorit.

Dje në mbrëmje, një 30-vjeçare, e cila ishte nxjerrë e gjallë nga rrënojat e një pallati në Durrës, nuk mundi t’i mbijetojë agonisë 14-orëshe nën gërmadha dhe ndërroi jetë në spital. Më herët ishte nxjerrë e pajetë nga rrënojat vajza e saj 8-vjeçare.

Një tjetër viktimë, 24-vjeç u nxorr i pajetë nga rrënojat e një pallati të shembur në Durrës, ku kishte qëndruar për mbi 14 orë, fatkeqësisht pa mundur të mbijetojë. 

Ekipet e shpëtimit nxorrën nga rrënojat e një pallati të shembur në Thumanë edhe dy trupa të tjerë të pajetë, që dyshohet se janë një nënë dhe djali i saj.

Në luftë me kohën, teksa errësira ua ka vështirësuar punën, ekipet e shpëtimit vijojnë pa ndërprerje punën për nxjerrjen e personave nga 9 rrënojat e shembura në Thumanë, Durrës e Ish-Kënetë, pas tërmetit të fuqishëm të mëngjesit të sotëm.

Kështu, një shtetase mësohet se është shpëtuar nga zjarrfikësit grekë mbrëmjen e sotme, pasi qëndroi për më shumë se 15 orë nën rrënojat e një ndërtese në Thumanë.

Ministria e Mbrojtjes nga ana e saj konfirmon se ka viktima në Thumanë, Durrës dhe Kurbin. 

Qindra forca të ushtrisë, policisë dhe forcave civile janë vënë në gatishmëri të situatës në tri zona ku janë përqëndruar operacionet e shpëtimit, në zonën e Thumanës dhe në dy zona në qytetin e Durrësit.

Autoritetet po nxjerrin nga rrënojat disa të mbijetuar, ndërsa po përpiqen të komunikojnë me personat që ndodhen nën rrënoja në Thumanë.

Rreth 22 persona janë shpëtuar nga rrënojat e ndërtesave të shembura në Durrës.

Ndërkohë, sipas burimeve zyrtare, janë mbi 650 të lënduar që kanë marrë shërbim në të gjitha spitalet e vendit, nga të cilët 230 tek Trauma. Mbi 900 thirrje janë regjistruar për ndihmë në urgjencën kombëtare, nga këto 200 misione me autoambulancë.

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.4 i shkallës Rihter tronditi në orën 03:54 Shqipërinë, me epiqëndër 16 kilometra nga Shijaku.

Autoritetet paralajmërojnë qytetarët të qëndrojnë jashtë objekteve në epiqendër. 

“Goditjet që do të pasojnë tërmetin e sotëm do të jenë të shumta dhe intensive por mendohet të rrallohen në numër ditët në vazhdim”, – tha për Euronews Albania sizmiologu Rexhep Koçi.

Qytetarët në Tiranë dhe në Durrës vazhdojnë të qëndrojnë në rrugë që në orët e para të mëngjesit.

Liderët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut kanë shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e tyre për situatën në Shqipëri.

Edhe presidenti i Parlamentit Evropian David Sassoli shprehu ngushëllimet e tij për shtetasit e Shqipërisë, të prekur nga tërmeti.

Specialistët e konsiderojnë tërmetin e sotëm më të fuqishmin në 50 vitet e fundit.

Shkollat janë mbyllur ditën e sotme në të gjithë vendin dhe do të vijojnë të qëndrojnë të mbyllura edhe nesër, sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit, ndërsa Universiteti i Tiranës njoftoi pezullimin e zhvillimit të mësimit.

Kryeministri Rama konfirmoi përmes një prononcimi në një video live në Facebook se, 41 persona janë shpëtuar nga rrënojat, ndërkohë që shtetet fqinje kanë shpehur mbështetjen e tyre.

“Kanë mbërritur të parat trupat speciale të Kosovës me porosi të presidentit Thaçi. Kanë mbërritur helikopterë ushtarakë të ndihmës së specializuar italiane, një skuadër nga Mali i Zi si dhe një autokolonë forcash nga Greqia. Janë drejt Rinasit mjetet ajrore të emergjencës nga Italia dhe Greqia e po ashtu nga Turqia, Franca, Serbia, Rumania dhe Kroacia. Gjermania ka vënë në lëvizje mekanizmat e saj të solidaritetit ndërsa Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Bashkimit Evropian ka komunikuar qysh herët dhe ka shprehur gatishmërinë e saj”- deklaroi Rama.

Departamenti i Ndihmës Humanitare dhe Mbrojtjes Civile në një reagim ka pohuar se edhe Hungaria , Gjermania, Kroacia, Franca, Estonia, Repubika Çeke dhe Turqia kanë ofruar ndihmen e tyre, përmes Mekanizmit Evropian të Emergjencave Civile.

Ndërkohë Bashkimi Evropian ka aktivizuar edhe sistemin satelitor “Copernicus” për prodhimin e pamjeve satelitore të cilësisë së lartë të zonave të prekura nga tërmeti.

Pas disa orësh përpjekje, forcat e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin një të ri të mbetur nën rrënoja në Durrës. I pyetur nga drejtorja e lajmeve të Euronews Albania, Ilva Tare për gjendjen e tij shëndetësore i riu nuk ka mundur të përgjigjet, por të tjerët pranë tij u shprehën se ai është në gjendje të mirë. I riu është dërguar menjëherë në spital për të marrë trajtimin e nevojshëm.

Bilanci i viktimave u përkeqësua pasditen e së martës pasi u konfirmuan edhe 2 persona të tjerë të pajetë. Sipas informacioneve të fundit, viktimat e radhës janë dy vëllezër nga Kosova, të cilët ishin bllokuar bashkë në Hotelin ’’Tropikal’’ në Durrës.

Mësohet se njëri nga viktimat është i moshës 29-vjeçare. Ai me vëllain e tij po kalonin mëngjesin te ’’Tropikali’’ kur tërmeti i fuqishëm shkaktoi shembjen e hotelit duke i bllokuar të dy vëllezërit, të cilët fatkeqësisht nuk mundën të mbijetonin nën gërmadha.

Në orët e mbrëmjes, përmes një statusi në Facebook, Kryeministri i vendit, Edi Rama bëri me dije se qeveria do të nënshkruajë një marrëveshje me strukturat hoteliere të Durrësit, Kavajës dhe edhe Vlorës po të jetë nevoja, që të gjitha familjet e mbetura pa çati, të strehohen në kushte optimale.

“Dimri nuk kalohet dot as nën qiell të hapur e as në tenda, prandaj qeveria do të nënshkruajë një marrëveshje me strukturat hoteliere të Durrësit, Kavajës dhe edhe Vlorës po të jetë nevoja, që të gjitha familjet e mbetura pa çati, të strehohen në kushte optimale, të shërbehen në kushte optimale, t’i kalojnë edhe festat e fundvitit në kushte optimale bashkë me fëmijët e tyre, ndërsa këta të fundit jo vetëm të mos jenë të detyruar të braktisin shkollën asnjë ditë, po edhe të mësojnë në kushte optimale”, shkroi Rama në Facebookun e tij mbrëmjen e sotme.

Ndërkohë, më herët qeveria shqiptare e shpalli 27 nëntorin, ditë zie kombëtare, në nder të viktimave të tërmetit fatal të mëngjesit të sotëm.

 

Etiketimet

Rënie e theksuar e vdekjeve dhe infektimeve me COVID-19 pas vaksinimit, sipas studimit italian

Rastet e reja me COVID-19 tek të gjitha grup moshat kanë rënë me 80 për qind vetëm pesë javë pas dozës së parë të...

Rritet çmimi i karburanteve, nafta dhe benzina 5 lekë më shtrenjtë në tregun e pakicës

Në pikat e furnizimit me pakicë të karburanteve, këtë fundjavë është vënë re rritje të çmimit të naftës dhe benzinës. Nëse në fillim të javës...

Nuk ndalen sulmet në Gaza, goditen zyrat e mediave Associated Press dhe Al Jazeera

Nuk kanë të ndalur sulmet dhe kundërsulmet mes Izraelit dhe grupit Hamas, ku orë pas ore raportohet për jetë të humbura mes civilëve. Një ndërtesë...

Regjistrohu për të marrë NEWSLETTER