Qeveria shpall gjendjen e emergjencës edhe në Laç: Nga sot, asnjë në çadër

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Qeveria vendosi të premten në mëngjes të shpallë gjendjen e emergjencës edhe në Laç, përpos Durrësit dhe Tiranës.

Kryeministri Edi Rama, në një mbledhje të jashtëzakonshme qeverie mëngjesin e sotëm, lajmëroi se përfshirja e Laçit në perimetrin e emergjencës ishte e nevojshme për të futur të prekurit në programin e qeverisë për mbrojtjen dhe rindërtimin.

“Ka filluar puna për pastrimin në Durrës dhe në Thumanë, ku në Thumanë shembëm dy godina të rrezikshme, – lajmëroi Rama. Në Durrës ka nisur puna për pastrimin e gërmadhave, në hotspotet ku nuk ka operacion kërkim-shpëtimi”, – shtoi ai.

Kryeministri garantoi se asnjë person i prekur nga tërmeti në zonat urbane nuk do të qëndrojë më në çadër, por do të akomodohen të gjithë nëpër hotele, dhe jo më në palestra shkollash, të cilat siç tha Rama, duhen liruar për nxënësit që do të rinisin shkollën.

Ndërkohë, në zonat rurale, Rama kërkoi bashkëpunimin e Ministrisë së Bujqësisë që banorët të pajisen edhe me çadra, në mënyrë që të mos shkëputen nga punët e tyre të përditshme të bujqësisë.

Një natë më parë, në një intervistë për gazetarin e Euronews Albania, Sonil Frashëri, nga Laçi, ku kishte shkuar për të ndjekur nga afër situatën e krijuar nga tërmeti, kryetari i opozitës, Lulzim Basha i kërkoi qeverisë që të shpallte gjendjen e katastrofës natyrore edhe në Kurbin pasi sipas kreut të PD vetëm në Laç janë 18 pallate 5-katëshe tërësisht të pabanueshme.

“Koha nuk pret, duhen larguar banorët nga banesat e pabanueshme dhe duhen marrë masa që të strehohen diku tjetër”, – tha Basha për Euronews Albania.

Viktimat
 
Numri i jetëve të humbura nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit kanë arritur në 49, nga të cilët 25 në Durrës, 23 në Thumane dhe 1 në Laç. Shtatë fëmijë ishin fatkeqësisht mes viktimave të tërmetit shkatërrimtar.

Strehimi

Në qarkun e Durrësit janë 1260 persona të akomoduar, nga të cilët deri tani 625 janë vendosur në hotele dhe 360 në palestrat e shkollave. Të tjerët ndodhen ende në çadra apo tek të afërmit.

Në Thumanë janë rreth 500 persona të akomoduar në çadra. Ndërkohë, ka nisur transferimi i tyre nga kampet për në hotele në Shëngjin, pas marrëveshjes që qeveria ka nënshkruar me bizneset heteliere të zonës. Deri tani janë transportuar 16 familje me 64 persona. Ndërkohë që në Berat janë akomoduar 250 persona.

Pa strehim në qarkun e Tiranës janë 3480 persona, nga këta 1000 persona në 5 qendra pritëse, të tjerët në çadra dhe tek afërmit. Në Elbasan janë akomoduar 209 Persona.

Dëmet

Tërmeti shkatërrimtar që goditi vendin në orën 03:54 minuta të mëngjesit të 26 nëntorit ndërpreu në mes jetën e 49 personave, por solli edhe dëme të shumta materiale me pallate e shtëpi të shkatërruara plotësisht, duke nxjerrë në rrugë të madhe mijëra vetë.

Kështu, në Durrës rezultojnë 701 banesa të dëmtuara, 12 totalisht të dëmtuara dhe 176 pallate të dëmtuara. Në Tiranë 15 banesa janë plotësisht të shkatërruara , 12 të dëmtuara, 8 pallate jashtë funksionit dhe 16 pallate të dëmtuara rëndë.

Ndihmat financiare

2.5 milionë euro janë dhënë vetëm nga dy sipërmarrës. Një shumë e verifikuar me transaksion deri tani në 5 mln euro dhe 1,5 mln dollarë, me fatura bankare apo të dhënat e portalit e-albania ku ka një numër të madh donatorësh të vegjël.

4.5 milionë dollarë janë mbledhur nga llogari vullnetare të hapura nga qytetarë në Facebook dhe nga shoqatat.

Grupet e kërkim-shpëtimit

Në Thumanë është mbyllur kërkimi për viktima nën rrënojat e ndërtesave të shembura me bilancin tragjik të 23 viktimave.

Në hotel “Mira Mare”, Durrës po punojnë grupet e kërkim-shpëtimit nga Serbia dhe Mali i Zi, pasi dyshohet se nën rrënoja gjendet ende një trup i pajetë.

Në Ish-kënetë është mbyllur kërkimi. Te zona e ‘Kryqit të kuq’, në Durrës është mbyllur kërkimi. Po ashtu kërkimet për trupa nën rrënojat e ndërtesave të shembura nga tërmeti janë mbyllur edhe në rrugën  ‘Shoqëria Bashkimi’ (‘2 Gjelat’). 25 vetë humbën jetën tragjikisht në Durrës nga tërmeti shkatërrimtar i të martës së 26 nëntorit.

Etiketimet

Piktura e artistit spanjoll Pablo Picasso shitet në ankand për 103.4 mln dollarë

Një pikturë e realizuar nga Pablo Picasso u shit për 103.4 milionë dollarë gjatë një ankandi të zhvilluar në New York duke thyer të...

Trembëdhjetë të vdekur nga COVID-19 në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut në orët e fundit kanë humbur jetën 13 persona si pasojë e infektimit nga epidemia e COVID-19. Ministria e shëndetësisë ka...

Rënie e theksuar e vdekjeve dhe infektimeve me COVID-19 pas vaksinimit, sipas studimit italian

Rastet e reja me COVID-19 tek të gjitha grup moshat kanë rënë me 80 për qind vetëm pesë javë pas dozës së parë të...

Regjistrohu për të marrë NEWSLETTER