Deputeti i Partisë Socialiste Fidel Ylli, duke folur për projektligjin e ri të sportit që pritet të kalojë për miratim në Parlament, shprehet i zhgënjyer për nivelin e financimit. Si rrjedhojë, z. Ylli theksoi gjatë intervistës për Euronews Albania, se për këtë arsye ndihet disi i penduar pse vendosi të hynte në politikë në vitin 2009.
“Jam shumë i mërzitur për situatën dhe financimet në sport sepse në fund të fundit, po ta them pa pikë modestie se isha mirë në ato punët e mia. Një nga arsyet që Kryeministri më bindi që të isha në Parlamentin shqiptar, ishin projektet e sportit”, u shpreh ish-kampioni kombëtar në mundje.
Z. Ylli shprehu rezerva në përgjithësi për vëmendjen që politika i kushton sportit, duke thënë se, e shikon si një gjë plotësuese dhe jo thelbësore dhe nuk e kurseu ironinë me Ministrinë e Financave.
“Këta (politikanët) nuk e kuptojnë se sporti është jeta. Financimi për sportin është shumë i vakët. Kosova një shtet i formuar rishtaz, e ka buxhetin 10-fish sa ne. Një pengesë shumë e madhe është Ministria e Financave, të cilët kërkojnë vetëm bileta kur kombëtarja ka ndeshje me Francën ose Anglinë”, deklaroi z. Ylli.
Edhe pse vlerësoi dëshirën e Kryeministrit, Edi Rama për të bërë një reformë të thellë në sport, 58-vjeçari shtoi se tërmeti i 26 nëntorit bëri që kjo çështje të mbetet sërish në hije. Nga ana tjetër, Ylli kritikoi vendimin e Ramës për të mbyllur menjëherë llotot sportive.
“Llotot kanë qenë informale që në kohët e komunizmit. Jo që kjo qeveri që nuk i mbyll dot, por ato nuk i hoqi dot as Enver Hoxha. Nuk mund të them se ishte një gabim por edhe në mënyrë të menjëhershme ndoshta nuk duhej bërë”, tha deputeti socialist.
Si relator i ligjit për sportin, z. Ylli thotë se, projektligji është shumë i mirë, por nevojiten paralelisht financime. Ndërsa për dhunën që shpeshherë është e pranishme në sport, sipas tij ky problem zgjidhet me Kodin Penal dhe jo me ligjin për sportin.
“Dhunën nuk e rregullon ligji i sportit, por Kodi Penal. Dua të jap vetëm një shembull, Anglia i ka kthyer stadiumet sikur të shkosh në teatër. Kjo është bërë me ligje, pasi një person që futet në stadium nuk pranohet më në asnjë lloj pune”, tha më tej deputeti i PS për Qarkun e Durrësit.