Vendi

Tërmeti i 26 nëntorit, banorët kalojnë të ftohtin në çadra

Përditësimi i fundit: 08/02/2020 - 14:08
Text size Aa Aa

Fshati Radë në Durrës është një nga zonat më të goditura nga tërmeti i 26 nëntorit . Shtëpi të rrënuara dhe qytetarë të brengosur gjetëm teksa ka kaluar më shumë se dy muaj pas lëkundjeve. I tillë është rasti i familjes Domi.

Gjyzja 60 vjeçe na tregon se që prej lëkundjeve të tërmetit po qëndron në çadër.

"Nuk lihet shtëpia vetëm, nuk kemi ku të shkojmë. Djali fle këtu unë këtu", shprehet Gjyze Domi.

E ndërsa i ftohti i acartë ka mbërritur, mbijetesa në çadra vështirësohet.

"Ftohtë i madh, qamet, keq shumë keq, nuk ka më keq. Filluan kalamajtë duke bërtit se luante çadra, kisha frikë unë që jam 60 vjeçe", tregon ajo.

Jo vetëm Gjyzja, po edhe familja Gjergji po përjeton të tilla vështirësi.

"Ja shkatërruar, me fëmijë të vegjël. Sëmurë janë me grip, dhe aty nuk mund të rrimë", shprehet Sadete Gjergji.

Ata na tregojnë se nuk mund të largohen nga banesat, ndonëse temperaturat janë ulur ndjeshëm.

"Nuk kemi mundësi të shkojmë diku, se nuk mund t'i lë shtëpiat vetëm. Që kur ka rënë tërmeti këtu po rrimë, është shumë ftohtë. Këtu do rrimë me vështirësi", thotë Luljeta Gjergji.

Por ka edhe familje që pas tërmetit kanë vendosur të qëndrojnë me qira, si rasti i Rifat Sherës.

"Kam 20 ditë që kam aplikuar për bonus qiraje, nuk e kam marrë akoma. Shtëpia është e pabanueshme, jetoj me qira, lekët i paguaj nga të mijat", tregon Rifati.

Banorët e Radës tregojnë se së fundmi e kanë bërë dhe aplikimin online ku kanë vetë deklaruar dëmet e banesës së tyre. E tashmë ato janë në pritje të përgjigjes.

Tregime të lidhura