Vendi

Presidenti Meta: Mazhoranca po dënon me vdekje reformën në drejtësi

Përditësimi i fundit: 13/02/2020 - 21:42
Text size Aa Aa

Në studion e Ilva Now, presidenti i Republikës, Ilir Meta sqaroi qëndrimin e tij ndaj përplasjes me mazhorancën për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Duke i cilësuar veprimet e kreut të Këshillit të Emërimeve në drejtësi si mafioze, Meta u shpreh se nëse drejtësia nuk e zbardh çështjen, atëherë ai do ta shpallë atë të vdekur.

Meta e vlerësoi negativisht punën e Euralius në lidhje me punën e tyre për reformën në drejtësi dhe nënvizoi se ata e humbën shansin për të ndihmuar të kishim një drejtësi sipas Kushtetutës.

Për sa i përket deklaratave të tij, që nënkuptonin se do të ndërmerrte një veprim për shpërndarjen e kuvendit, Meta tha se nuk e mendon këtë por ajo që presidenti mendon është se Kuvendi duhet të vet shpërndahet.

Kreu i Shtetit theksoi se, Presidenca do të jetë një kala në mbrojtje të kushtetutës ndaj kujtdo dhe kërkesa për shkarkimin e tij nga kuvendi sipas Presidentit është një çështje e mbyllur dhe mandati i tij do të shkojë deri në fund.

I pyetur nëse është më mirë të jesh President, apo të jesh kryetar i LSI, Meta u përgjigj se më mirë është të jesh i lirë në veprimet që merr.

Në lidhje me gjuhën e tij ndaj ambasadorëve, presidenti tha se këto deklarata nuk i përfshijnë të gjithë dhe se bashkëpunimi i tij nuk ka munguar asnjëherë.

Ilir Meta tha për Ilva Now se raporti i tij me institucionet është dhe do të mbetet gjithmonë korrekt dhe se ku do të jetë ai pas përfundimit të mandatit e dinë vetëm qytetarët shqiptarë.

Tregime të lidhura