Vendi

Presidenti Meta dekreton ligjin për amnistinë dhe 5 ligje të tjera

Përditësimi i fundit: 14/02/2020 - 17:21
Text size Aa Aa

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta ka dekretuar ditën e sotme shpalljen e gjashtë ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, ndër to edhe ligjin e amnistisë.

Ky ligj u votua në Kuvend më 30 janar dhe parashikon lirimin e parakohshëm të 175 personave të dënuar.

Të amnistuarit janë meshkujt e dënuar me burgim deri në 2 vjet ose me dënime të tjera më të buta, përfshirë gjobën me kushtin që dënimi të ketë marrë formë të prerë deri në datën 30.09.2019.

Gratë dhe të miturit gjithashtu përfitojnë nga amnistia, por ndaj tyre shteti ka parashikuar të rrisë fashën e lirimit të parakohshëm deri në 3 vjet.

Amnistia ofrohet edhe për meshkujt të dënuar me burgim, të cilëve deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur 2 vite nga dënimi. Për gratë dhe të miturit kjo shifër është llogaritur në 3 vite.

Gratë 50-vjeçare e sipër si dhe meshkujt mbi 60 vjeç do të mund të përfitojnë gjithashtu nga amnistia.

Falja bie edhe mbi të miturit që në kohën e krimit kanë qenë jo më shumë se 18 vjeç.

Megjithatë ligji duket se nuk ka lënë pas dore edhe personat që nuk i përmbushin kriteret e mësipërme, duke u ofruar atyre ulje me 1/3 e dënimit.

Shqipëria amnistoi për herë të fundit të dënuarit në vitin 2016. Synimi i kësaj nisme ligjore lidhet me parimet e humanizmit, arritjes së qëllimit të dënimit, rrezikshmërisë së ulët të personave që amnistohen, edukimit dhe rehabilitimit, si dhe mbrojtjes së interesit publik.

Presidenti Meta dekretoi gjithashtu ligjin “Për pranimin e instrumentit të amendamentit të Kushtetutës së Organizatës Ndërkombëtare të Punës, 1986”, ligjin “Për ratifikimin e konventës së Minamatës “Për mërkurin”, ligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për themelimin e qendrave kulturore dhe informative në Republikën e Shqipërisë dhe të qendrave kulturore dhe informative në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, atë “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në aneksin VI të konventës ndërkombëtare detare “Për parandalimin e ndotjeve nga anijet, 1973”, të ndryshuar me protokollin e vitit 1978 (MARPOL 73/78)”, si dhe “Për ratifikimin e protokollit të gjashtë shtesë të Marrëveshjes për Forcën Shumëkombëshe të Paqes në Europën Juglindore”.

Këto ligje hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.