Vendi

Të rinjtë përdorin kartat e kreditit, të moshuarit llogaritë e kursimeve

Përditësimi i fundit: 14/02/2020 - 08:52
Text size Aa Aa

Një sondazh i kohëve të fundit i Institutit për Zhvillim, Kërkim dhe Alternativa (IDRA), në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave në një kampion prej 5 mijë të intervistuarish, tregoi se shërbimet financiare bazë mbulojnë vetëm një pjesë të vogël të popullsisë , më pak se 40 për qind. Ata që përdorin bankën e bëjnë kryesisht për pagesa. Rezultatet e vrojtimit gjetën se karta e debitit është produkti bankar më i përdorur nga klientët (44%).

Kartat e kreditit përdoren akoma më pak, pasi vetëm 20% e të anketuarve e kanë një të tillë. Ekziston një pjesë e konsiderueshme e përdoruesve të bankave që përdorin një kredi personale (11%), ndërsa një pjesë shumë e vogël kanë një kredi për banesë (4%). Së fundmi, letrat me vlerë të qeverisë dhe mbitërheqjet përdoren vetëm nga më pak se 4% te përdoruesve të bankës.

Të rinjtë përdorin më shpesh kartat e kreditit. Të gjithë të anketuarit shprehen mosbesues ndaj shoqërive jobankare të kreditimit, ndërsa besojnë në sistemin bankar dhe bankën qendrore. Por, pavarësisht kësaj këto institucione kanë arritur të zënë rreth 5% të totalit të kredisë në Shqipëri, duke patur rritje të ndjeshme në vitet e fundit.

Gjatë vitit 2018, subjektet financiare jobanka kanë gjeneruar një fitim prej 1.7 miliardë lekësh, në rritje me afro 28% krahasuar me vitin 2017. Kontributin kryesor e dhanë subjektet që ushtrojnë aktivitetin e kredidhënies.

Vetëm një e treta e moshës 35-44 vjeç e të anketuarve përdorin një kartë krediti. Kjo grup moshë përdor po ashtu kredinë konsumatore dhe atë personale (24%). Ndërsa të vetë punësuarit dhe të papunët ose pensionistët përdorin më shumë llogari të kursimeve (përkatësisht 47% dhe 44%).

Tregime të lidhura