Kjo e diel duhet të ishte një ditë feste për ekipin e futbollit të Vllaznisë së Shkodrës pasi bëhen 101 vite nga formimi i këtij klubi por nuk ka ndodhur kështu. Administratorit të këtij klubi, Suad Licit i është vendosur një pako tritol poshtë makinës. Lënda plasëse ishte e mbledhur me natriban dhe fitil e gatshme për të shpërthyer por që është pikasur nga Lici, i cili ka njoftuar policinë.
Pas ndërhyrjes forcat xhenio bënë shpërthim të kontrolluar të pakos. Ndërkohë, z. Lici në një reagim për mediat nuk e mohoi se ngjarja ka lidhje me detyrën e tij, por nuk pranoi që të jetë kërcënuar.
“Me asnjë njeri nuk kam probleme dhe konflikte. Nuk e di nëse ka lidhje me detyrën, le t’ua lëmë organeve kompetence këtë gjë. Nuk kam pas asnjë kërcënim. S’do të tërhiqem nga detyra edhe sot do të marr pjesë në ndeshjen që kemi në Durrës. Do të vazhdoj jetën time të përditshme”, u shpreh Lici.
Ndërkohë, kryebashkiakja Voltana Ademi shprehet se situata në Shkodër nuk është e qetë dhe kërkon zbardhjen e kësaj ngjarje.
“T’i lëmë vendin për të pnuar të gjithë forcave të policisë që të kryejnë detyrën. Mendoj se duhet të presim rezultatet e hetimit pa shkuar në përfundime. Ajo na shqetëson është situata që në qytetin e Shkodrës nuk është e qetë. Për ngjarjet që ndodhin ditë pas dite”, u shpreh znj. Ademi.
Situata tek ekipi i Vllaznisë vitet e fundit nuk ka qenë e qetë dhe shpesh ka qenë pjesë e lajmeve të kronikës së zezë. Tre ish-trajnerë të kësaj skuadre janë kërcënuar në fushën e stërvitjes. Armando Cungut i kanë nxjerrë armën, Agim Cana po ashtu u kërcënua. Ndërsa rasti me flagrant është ai i Ernest Gjokës i cili u kërcënua me thikë sapo doli nga stadium.