Vendi

Unioni i Gazetarëve: Qeveria po përjashton median nga kompensimi financiar për COVID-19

Përditësimi i fundit: 18/03/2020 - 15:43
Text size Aa Aa

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë për të përjashtuar mediat nga kompensimi që do t’u ofrohet të punësuarve nga COVID-19. Kreu i UGSH-së, Aleksandër Çipa duke e cilësuar të padrejtë një vendim të tillë, shprehet se kjo vjen në një kohë kur mediat kanë rrezik për falimentim për shkak të tërheqjes së reklamave nga situata e krijuar kryesisht prej masave kufizuese të qeverisë.

“Media shqiptare është sot në gjendje kolapsi, pasi të gjjtha kompanitë reklamuese janë tërhequr. Asnjë biznes nuk bën reklamë në këtë kohë krize. Përjashtimi i mediave nga vendimi i qeverisë dhe indiferenca ndaj gazetarëve të punësuar në këtë sektor përbëjnë akt të pastër ndëshkues dhe penalizues për bukën dhe jetesën e gazetarëve dhe familjeve të tyre. Duhet ta themi se aktualisht, për shkak të kësaj krize, të gjitha televizionet dhe mediat audiovizive në përgjithësi, kanë reduktuar stafet, disa prej tyre edhe në masën 70%, pasi nuk kanë fuqi paguese”, thuhet në deklaratën e UGSH-së.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë fton të gjitha mediat, gazetarët dhe shoqatat aktive në mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe të lirisë së shtypit të bashkohen në reagim dhe denoncim të përbashkët kundër këtij vendimi diskriminues të qeverisë shqiptare.

“Përjashtimi selektiv i entiteteve mediatike rrezikon të shndërrohet në një vullnet të pashprehur për të parë falimentimin dhe mbylljen e tyre. Mediat dhe fjala e lirë, pluralizmi dhe spektri informativ janë arma e vetme kundër territ informativ që paraqitet si një kërcënim konkret në ditët e luftës me pandeminë COVID-19. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh shqetësimin se nëse kjo situatë zgjat deri në fund të muajit prill, mediat, sidomos radio-televizionet, rrezikojnë të fikin sinjalin televiziv. Të njëjtin problem e kanë edhe mediat online, ku në një treg ende të parregulluar, nuk kanë asnjë burim financiar, përtej reklamuesve që po tërhiqen”, përfundon reagimi i UGSH-së.

Qeveria shqiptare do të paraqesë të enjten planin financiar për efektet që kanë sjellë masat kufizuese në parandalimin e coronavirusit. Kryeministri, Edi Rama gjatë intervistës së dhënë mbrëmë për Euronews Albania, deklaroi se do të ketë kompensiom për të gjithë punonjësit për ditët që janë mbyllur në shtëpi.

 

Lexoni gjithashtu:

Kryeministri Rama për Euronews Albania: Do të kompensojmë ditët e izolimit për të punësuarit

Tregime të lidhura