Vendi

Dy të vdekur brenda pak orësh, shkon në 4 numri i viktimave nga COVID-19

Përditësimi i fundit: 23/03/2020 - 08:23
Text size Aa Aa

Rritet bilanci i viktimave nga COVID-19 në Shqipëri. Brenda pak orësh kanë ndërruar jetë dy persona, ndërsa një i tretë ndodhet në vdekje klinike.

Ministria e Shëndetësisë raporton se ka ndërruar jetë në Spitalin Infektiv një pacient 43-vjeçar nga Kavaja dhe një 71-vjeçar nga Kuçova, i cili ishte i  sëmurë me tumor. Pacienti nga Kavaja ndodhej në terapi intensive në Spitalin Infektiv në QSUT, ndërsa përpos obezitetit nuk vuante nga sëmundje të tjera shoqëruese. 

Ministria e Shëndetësisë raportoi më parë se numri i viktimave ka shkuar në pesë, por fatmirësisht kjo e dhënë nuk është  e vërtetë. Mëngjesin e sotëm u raportua për një 61-vjeçar që ndërroi jetë, por ministria në një njoftim të dytë theksoi se personi në fjalë  ka pësuar vdekje klinike  dhe mjekët po bëjnë të pamundurën për ta rikthyer në jetë.

Njoftimi për pacientin nga Kavaja:

"Gjatë mëngjesit të sotëm ndërroi jetë një pacient 43-vjeçar i shtruar në spitalin Infektiv, i konfirmuar me COVID-19, i cili ndodhej në terapi intensive. Pas rëndimit të gjendjes gjatë mbrëmjes, 43-vjeçari nga Kavaja është vendosur në frymëmarrje të drejtuar (respirator) për disa orë, por pavarësisht përpjekjes së mjekëve, nuk ka mundur të mbijetojë. 43-vjeçari nga Kavaja, përpos obezitetit nuk kishte sëmundje bashkëshoqëruese. 43-vjeçari është viktima e katërt i prekur nga COVID-19 në Shqipëri", thuhet në njoftimin e ministrisë së Shëndetësisë.
 
Njoftimi fillestar për pacientin nga Tirana:
 
"Gjatë mëngjesit të sotëm ndërroi jetë një pacient 61-vjeçar i shtruar në spitalin Infektiv, i konfirmuar me COVID-19, i cili ndodhej në terapi intensive. 61-vjeçari nga Tirana është vendosur në frymëmarrje të drejtuar (respirator) për disa orë, por pavarësisht përpjekjes së mjekëve, nuk ka mundur të mbijetojë. 61-vjeçari kishte sëmundje bashkëshoqëruese. 61-vjeçari është viktima e pestë i prekur nga COVID-19 në Shqipëri", theksoi ministria.
 
Ministria e Shëndetësisë u ka shprehur ngushëllimet familjeve të pacientëve që kanë ndërruar jetë, ndërsa ka ftuar qytetarët të respektojnë me shumë rigorozitet rregullat e distancimit social dhe të telefonojnë 127 në rast se kanë shenja të sëmundjes.