Vendi

COVID-19, zgjatet me dy javë pezullimi i proceseve gjyqësore

Përditësimi i fundit: 24/03/2020 - 21:27
Text size Aa Aa

Të gjitha proceset gjyqësore do të jenë të pezulluara dhe për dy javët e ardhshme. Këshilli i Lartë Gjyqësor ka marrë një vendim të tillë nisur nga përhapja e coronavirusit.

Sipas vendimit të KLGJ-së, do të vijojë pezullimi i veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në të gjitha gjykatat e vendit, të juridiksionit të përgjithshëm dhe të posaçëm, për shkak të situatës së krijuar nga infeksioni i përhapur Covid-19.

Por, përjashtohen nga efektet e këtij pezullimi veprimtaria dhe shërbimet gjyqësore, që lidhen me çështje me natyrë të ngutshme, të vlerësuara si të tilla rast pas rasti nga gjyqtari si dhe seancat e vlerësimit të masave të sigurisë, seancat në të cilat janë kërkuar ose zbatuar masat e sigurisë me burg, dhe kur të arrestuarit, të pandehurit, ose mbrojtësit e tyre e kërkojnë shprehimisht që të vijohet me shqyrtimin e tyre. 

 KLGJ kërkon që në çdo rast nga ana e gjykatës duhet të shmanget prania e publikut në zhvillimin e seancave gjyqësore. Kohëzgjatja e pezullimit do të zgjasë deri më 7 prill.

Tregime të lidhura