Vendi

Ambasadori i BE, Soreca: Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe BE ka ndryshuar

Përditësimi i fundit: 26/03/2020 - 16:28
Text size Aa Aa

Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca e cilësoi 24 marsin një ditë historike për Shqipërinë, duke iu referuar hapjes së negociatave me BE-në. Z. Sereca numëroi si arritje të fundit të Shqipërisë krijimin e SPAK, emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm, kreut të BKH-së dhe kreut të ILD-së.

“Tani marrëdhënia mes Shqipërisë dhe BE-së ka ndryshuar. Tani bashkëpunimi është më i madh, mbulon të gjitha fushat a mundshme”, deklaroi ambasadori i BE.

Ambasadori tha se me vendimin për hapjen e negociatave, Shqipëria do të bëhet pjesë e shumë programeve që janë të vlefshme për vendet anëtare të unionit. "Shqipëria dhe shqiptarët do të kenë mundësi të jenë pjesë e programeve për arsimin transportin, bujqësinë apo larg qoftë edhe të ndihmës prej fatkeqësive natyrore", u shpreh ai.

Ambasadori i BE-së nënvizoi se, Shqipëria duhet të plotësojë katër kushte para se të mbahet takimi i parë ndërqeveritar Shqipëri-BE. Z. Soreca përmendi reformën zgjedhore, funksionimi i Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, krijimi i organeve të specializuara antikorrupsion si dhe fuqizimi i luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Kurse, plotësimi i kushteve të tjera do të jetë i shtrirë në kohë.

"Kushtet që janë vendosur, që Shqipëria të ulet në Konferencën Ndërqeveritare është reforma zgjedhore të miratuar në linjë të plotë sipas rekomandimeve të OSBE dhe transparenca e financimit të partive gjatë fushatës elektorale. Vazhdimi  i reformës gjyqësore, funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë por dhe lufta ndaj krimit dhe korrupsionit si dhe implementimi i plotë i SPAK dhe BKH", deklaroi z. Soreca.

Lidhur me faktin se kur, Shqipëria mund të bëhet pjesë e BE-së, ambasadori Soreca tha se kjo do të varet nga reformat që do të kryhen. Z. Sorenca gjithashtu saktësoi se fondi prej 50 milionë euro që BE po i jep Shqipërisë për të luftuar COVID-19 është në formën e grantit dhe nuk bëhet fjalë për kredi.

Tregime të lidhura