Vendi

Drejtori i Emergjencave Civile: Rezervat e shtetit nuk janë pa limit, do të kompensohen familjet më në nevojë

Përditësimi i fundit: 26/03/2020 - 12:18
Text size Aa Aa

Drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako në një lidhje direkte për Euronews Albania u shpreh se ka nisur shpërndarja e ndihmave ushqimore për shtresat në nevojë në të gjithë vendin.

"Me vendim nr. 236 të datës 19.03.2020 është vendosur ngritja e Komisioneve të Posaçme si ajo e Komisionit Qëndror të Ofrimit të Asistencës për të gjitha shtresat në nevojë. Gjithashtu është krijuar skema dhe struktura përkatëse, e cila konsiston në ngritjen e grupit ndërinstitucional për ofrimin e asistencës ndaj shtresave në nevojë nga qendra deri në bazë", nënvizoi Çako.

Drejtori i Emergjencave Civile tha se operacioni është i detajuar deri në qelizë. Sipas tij deri në fshatin më të fundit të gjithë qytetarët do të mund të aksesojnë të gjitha shërbimet e shëndetit publik apo shërbime spitalore, si dhe shërbime të tjera sociale do t'i vijnë në ndihmë të gjithë shtresave në nevojë.

"Do të dërgohen produkte ushqimore falas, produkte ushqimore me pagesë për ata që do të paraqesin kërkesën. Sa i takon shërbimeve spitalore bëhet fjalë për klinikat apo shërbime të tjera rajonale. Përpos Covid-19, ka qytetarë që kanë nevojë për kujdes spitalor për shkak të shqetësimeve të tjera shëndetësore. Do të ketë vizita në shtëpi përmes mjekut të familjes apo dërgim të qytetarëve në spital kur bëhet fjalë veçanërisht për moshat e treta", u shpreh ai.

Sipas Çakos prioritet kanë patur familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, të cilat vijojnë të qëndrojnë jashtë banesave të tyre

"Janë kontaktuar të gjitha dhe jemi pothuajse në fazën përmbyllëse të ndihmave ushqimore për këto kategori. Gjithashtu po bëhet dërgimi i ushqimeve për shtresat vulnerabël që trajtohen me ndihmë sociale apo invalidë dhe kategori të tjera të ngjashme", tregon drejtori i Emergjencave Civile.

Në lidhje me rezervat e shtetit Çako tha se ato nuk janë pa limit dhe se mund të kompensohen shtresat më në nevojë, por jo e gjithë popullsia.

Tregime të lidhura