Vendi

Genc Pollo: Të punohet me seriozitet për zbatimin e 15 kushteve të vendosura nga BE

Përditësimi i fundit: 26/03/2020 - 09:57
Text size Aa Aa

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për Euronews Albania, ish-deputeti i Partisë Demokratike Genc Pollo, u shpreh për hapjen e negociatave se media dhe opozita duhet të qartësojnë qytetarët për kushtet e vendosura ndaj Shqipërisë.

Megjithatë sipas tij, në kohën e pandemisë së coronavirusit të ri, duhet parë përtej zhvillimeve politike në vend apo në kontinentin tonë.

"Është një po me kushte. Nuk është hera e parë që shpallet nga qeveria hapja e negociatave. Për fat të mirë këtë herë nuk kishte as shampanjë dhe as dekorata. Sikur të ishin debatuar kushtet e atëhershme, nuk do të kishte patur shtim të tyre. Para dy vjetësh kemi patur 5 kushte nga Komisioni Europian. Para 1 viti kemi patur 9 kushtet e Bundestagut të Gjermanisë dhe sot zyrtarisht në dokumentin e shkruar kemi 15 kushte të detajuara nga Këshilli Europian. Nuk janë kushte rutinë, të vendosura edhe për vende të tjera. Është a paprecedentë që të vendoset si kusht dënimi i atyre që kanë vjedhur vota", tha për Euronews Albania, Genc Pollo.

Vendimi i 15 kushteve për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në sipas Pollos duhet përshëndetur si dhe duhen falenderuar qeveritë e vendeve anëtare. Ai nënvizon se duhet treguar seriozitet nga ana e qeverisë për përmbushjen e kushteve, ndërsa për opozitën shton se duhet të luajnë me konstruktivitet dhe të tregohet bashkëpunuese në lidhje me reformën zgjedhore.

"Nuk është plan festimi, është për të zgjidhur problemet duke filluar që nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese siç i kërkon Komisioni i Venecias. Të dënohen ata që kanë vjedhur votën dhe të zbatohet reforma zgjedhore, më pas do të fillojnë negociatat", shprehet Pollo.

Prirjen e shtimit të fenomenit të emigracionit Pollo e sheh si shqetësuese për Shqipërinë, për shkak të uljes së popullsisë, por njëkohësisht dhe si problematike për disa shtete anëtare në BE për shkak të emigracionit të paligjshëm.

"Vende si Franca, Hollanda dhe Belgjika e shohin prej perspektivës së tyre. Ata shohin shqetësimet që po i sjellin emigrantët e paligjshëm. Kur ka ndodhur kjo? Ka ndodhur vitin e dytë të qëndrimit në pushtet të kryeministrit aktual", shprehet ish-deputeti i Partisë Demokratike.

Pollo e mbyll fjalën e tij duke thënë se ngritja e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese sipas rregullave kushtetuese, heqja e mbrojtjes për të gjithë ata që janë përfshirë në korrupsion në nivele të larta dhe në blerjen e votës janë çështje të vullnetit të qeverisë.

Tregime të lidhura