Vendi

Nis riatdhesimi i shqiptarëve të mbetur jashtë vendit, Rama: Janë mbi 1300 persona

Përditësimi i fundit: 26/03/2020 - 21:54
Text size Aa Aa

Qeveria shqiptare do të nisë riatdhesimin e qytetarëve shqiptarë që kanë mbetur jashtë vendit për shkak të mbylljes së kufijve. Kryeministri, Edi Rama më një dalje për mediat ka bërë të ditur se janë identifikuar 1 379 persona që kërkojnë të rikthehen në Shqipëri.

Nga ana tjetër, kreu i qeverisë u bëri thirrje personave të tjerë që mund të kenë mbetur të bllokuar në ndonjë vend të huaj që të identifikohen përmes kanalit të urgjencës në platformën “shqiperiaqeduam.com”.

“Numri më i madh ndodhet në Itali. Në Itali kemi pasur një situatë pak të veçantë sepse kishte dhe ka kusht për të bërë testime për të nxjerrë jashtë të huajt, por në momentet e fundit kjo është kapërcyer, jemi gati të përgatisim tërheqjen e tyre. Po ashtu kemi Kroacinë, me 341 persona, që do t’u lehtësojmë procedurat dhe mund të vijnë në rrugë automobilistike. Anglia ka 114,  Zvicra 77, Spanja 70 dhe Greqia 45. Janë një sërë vendet të tjera që kanë numra më të vegjël”, u shpreh Kryeministri.

Deri tani me ndërmjetësimin e qeverisë është arritur që të bëhet i mundur kthimi i 52 shqiptarëve nga Spanja, 114 nga Gjermania, 110 nga Rumania, 45 nga Bullgaria, 22 nga Franca dhe 33 nga Emiratet e Bashkuara.

Tregime të lidhura